Home » Rreth nesh

Rreth nesh

Revista virtuale “Fjala” është një version online i gazetës së dikurshme të përjavshme “Fjala”, botuar si suplement i së dielës i gazetës “TemA”, e cila ekzistoi për pesë vjet, duke kryer një mision të vërtetë kulturor brendashqiptar, nga vitet 2001-2006. Pas vështirësive financiare si gazetë, ajo arriti të mbijetonte për njëfarë kohe edhe si revistë e përtremuajshme dhe jeta e saj nuk zgjati më shumë se dy numra. Pas vitit 2007, botimi i saj në çfarëdo forme, ka qenë thjesht një mision i pamundur, në kushtet e mosfinancimit dhe mosgjetjes së fondeve elementare.

Por tani, ja ku u kthye, me përpjekje vetjake, sërish në lexuesin e vet, që urojmë të shtohet.
“Fjala” do të jetë një medium virtual online letrar, artistik, kulturologjik, filozofik, që përfshin edhe mendimin kritik e teorik të krijuesve dhe studiuesve nga Shqipëria, Kosova,  Maqedonia, Mali i Zi dhe kudo ku flitet shqip dhe ka shqiptarë. Të gjithë lexuesit dhe bashkëpunëtorët e gazetës “Fjala” do ta gjejnë veten edhe më plotmërisht, në një projekt ambicioz, siç është një revistë e tillë gjithëpërfshirëse me periodicitet njëmujor.

Revista virtuale “Fjala”, pas përvojës për një kohë të gjatë në print, tashmë me një version dhe format të ri, ka për qëllim rritjen, afirmimin dhe komunikimin me vlerat më të mira kulturore e letrare nga tradita dhe bashkëkohësia jonë, si dhe ajo europiane e botërore. Ne synojmë të pasqyrojmë dinamikën e informacionit mbi proceset dhe rrjedhat e reja kulturore në rrafshin kombëtar dhe atë të huaj, duke vendosur kësisoj një rezonancë bashkëkohore në kontekstin kulturor dhe artistik në tërësi. Kjo do të ndikonte, sipas nesh, në krijimin e një klime nxitëse të shtrimit dhe gjallërimit të diskursit të lirë e konstruktiv mbi aspektet kryesore në sferat e ndryshme të artit dhe kulturës sonë.

Ne urojmë dhe jemi të vetëdijshëm se kjo revistë, në kushtet e sotme të pranisë së pakët të periodikëve letrarë-artistikë, përmbush zbrazëtirën e krijuar viteve të fundit në dinamikën e jetës kulturore-letrare. Ne jemi të vetëdijshëm dhe nisemi nga shqetësimi i sinqertë se pa ndërmarrje të tilla konkrete, niveli i mendimit dhe botëperceptimi i kulturës do të vazhdojë të fundoset në përfytyrime gjithnjë e më banale. Nisur nga ky shqetësim qytetar, që kultura dhe arti të mos vazhdojnë të mbeten edhe më tej peng ku diktojnë rregullat e tyre persona jo profesionalë, që kultura jonë të mos identifikohet dhe të mos mbetet peng i konceptimeve të tejkaluara provinciale, e shtrojmë këtë alternativë, duke qenë të sigurtë se ia vlen të investohet intelektualisht në një tjetër drejtim, drejt të cilit ka synuar gjithnjë edhe më parë gazeta “Fjala”, si dhe numrat e mëparshëm të revistës “Fjala”.

Duke qenë se gazeta kulturologjike “Fjala” në gjithë këto vite pati krijuar një dinamikë tepër cilësore, ne këtë ambicie kërkojmë ta shpiem edhe më tej me revistën (në pamundësi në format tjetër) online, duke përfshirë në një klimë të përgjithshme dhe me shtrirje më të madhe shqiptare në gjithë rajonin ku jetojnë e krijojnë shqiptarët. Revista “Fjala” krijoi një identitet të njohur për pesë vjet, 2001-2006, në tregun tonë kulturor, por me një ekzigjencë drejt një lexuesi shtesë në botën shqiptare, pa e humbur lexuesin e saj besnik nga qendra në periferitë më të largëta të Shqipërisë.

Ne mendojmë ta vazhdojmë më tej revistën në një periodik njëmujor të fuqishëm, me strukturë të larmishme kulturore, që të përthithë energjitë krijuese të breznive të ndryshme, me qëllim që të konfirmohen vlerat e vërteta të kulturës, mendimit eseistik intelektual, mendimit të specializuar kritik nga shkrimtarët tanë, sikundërse dhe afirmimin e krijuesve e mendimtarëve më të rinj. Kjo do të vijë si rrjedhojë e pasurimit të revistës me rubrika të larmishme që t’u përgjigjen nevojave të një lexuesi më të gjerë.

Meqenëse pranë revistës kulturologjike “Fjala” garantojmë polarizimin e poetëve, prozatorëve, eseistëve, kritikëve, studiuesve dhe piktorëve të një breznie të re, si dhe krijuesit e mirënjohur me përvojë të gjatë,  urojmë që me ndihmën dhe kontributin tuaj të gjithëfarshëm të mund të realizojmë një nga projektet kulturore më ambicioze, ndikimi i të cilit do të jetë konkret dhe faktik, numër për numër, çdo muaj.