Zakoni i ndërlikuar i rënies – Rosmarie Waldrop

Home » Kryesore » Zakoni i ndërlikuar i rënies – Rosmarie Waldrop

By elvana on February 13, 2019. No Comments

rosmarie waldrop

Poete, përkthyese dhe botuese, Rosmarie Waldrop ka qenë një prani shumë bindëse dhe me autoritet në poezinë amerikanë dhe ndërkombëtare për më shumë se 40 vjet. Lindur në Gjermani, ajo u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1950. Bashkë me të shoqin, Keith Waldrop, Rosmarie themeloi Revistën Burning Deck, që më vonë u shndërrua në Shtëpinë Botuese Burning Deck, botues shumë i rëndësishëm i poezisë inovative. Waldrop ka shkruar më shumë se 20 libra, ku përfshihen poezi, prozë dhe ese. Në vitin 2006 ajo u zgjodh në Akademinë Amerikane të Arteve dhe Shkencës. Qysh prej vitit 1970 është përkthyesja qendrore në anglisht e shkrimtarit francez Edmond Jabès, si dhe ka marrë titullin e nderit nga qeveria franceze Chevalier des Arts et des Lettres – Kalorës i Artit dhe Letrave.

 

Nga “Lëndina pa mes”
KUR THEM se besoj që shpirti i gruas është një substancë me dy rrathë karboni, imazhi në plan të parë e ka të vështirë të shfaqet dhe në planin e pasmë, aty ku korridoret humbin mes sakrificës së ritualit dhe gjakderdhjes së fshehur. Por katër pikat e kompasit janë të baraslarguara në lëndinën pa mes, në shtrirjen ku domethënia kërkon kohë që të mbruhet, ashtu siç kërkon kohë dhe ngrënia e peshkut, çapë pas çape, duke ia hequr halat. Që poezitë të bëhen të depërtueshme, unë vendos në qendër të secilës diçka që mbahet thellë në gojë, siç mbahet errësira prej të verbrit ose prej hapësires boshe.

 

SAPO DËGJOJ burrat të flasin për seksin, unë fus në çantë një vizore. Ne tashmë kemi matje të sakta si dhe ngjitshmëri midis jakës dhe qafës. Ta futësh veten brenda një pasqyre është një gjë, por diçka krejt tjetër ta nxjerrësh pasqyrimin tënd prej andej e t’i shikosh gabimet e tua me objektivitet. E qelqtë. Si lëngu ujor i syrit. Ndryshimi në perspektivë shkaktohet prej trupit qerpikor, i cili s’ka nevojë të jetë ngushëllues. Sidoqoftë, syri është një aparat fotografik, është hapësirë ku çdo gjë hyn brenda, si vëllimi që plotëson formën e zgavërt të një cilindri. Vetëm gjuha bleron një bar aq të blertë.

PËRDERISA UNË S’E PRANOJ dallimin midis ditës dhe natës, atëherë do më duhet të rrëmoj të tjera matje kohore më të lehta se boshësia e të qenit i rritur.  Gjurmët e tyre (si çdo shenjë tjetër) enden me pasiguri në trupin tim duke kërkuar një domethënie, që paçka e pafryte, s’do e pengojë barin të rritet. A mund t’i luajnë vetë fjalët pjesët e mia dhe po ashtu, a mund ta gjejnë ato rrugën drejt shtëpisë pranë, teksa thjeshtëzohen duke u shumuar? Ndoshta vazhdojmë të marrim shënime vetëm për të arritur drejt një përfundimi? Nëse ne nuk e sinjalizojmë dashurinë, arsyeja do të na e brejë zemrën, përpara se kjo të kumtojë synimin e saj, ndërsa ne as që do ta ndiejmë shkëputjen.

 

SA E VËSHTIRË ËSHTË që dhimbja të kristalizohet në bukuri! Dhe ne duhet t’i mbyllim sytë për të përfytyruar parajsën. Brenda qepallës shfaqen imazhe që s’vijnë nga përvoja, mos vallë presioni i saj në sy është i njëllojtë me lutjen, ashtu siç është konkluzioni një kalim drejt pohimit, krejtësisht si ceremonitë e agimit, që vëzhgohen para një sfondi të errët dhe të zbrazët. Kam lexuar që të dënuarat me varje i mbathin me të brendshme prej gome dhe veshje të qepura rreth e rrotull gjunjëve, për shkak se mitra dhe vezoret rrezikojnë të derdhen prej trupit nga tronditja e fortë që shkakton rënia.

 

U SHQETËSOVA PËR BOSHLLËKUN mes të shprehurit dhe synimit, me frikën se bota do të shihte një reklamë të ndritshme aty ku unë doja të tregoja një fytyrë. Sinqeriteti s’ka vlerë kur pranojmë që kemi gënjyer, qoftë edhe në errësirë të plotë, qoftë edhe vetëm përpara vetes. Dëshira e përkul trupin lakuriq prej ngutjes për joshjen drejt frikës prej zotërimit. Më e mira do të ishte sikur boshllëku vetë të kultivohej mes barit shtatlartë aq të volitshëm për intimitet, por pa pika orientimi. Pak rëndësi nëse aty s‘ka filozofi, por elektrone pa përvojë që, për t’i bërë gati orkestrës platenë, hidhen nga orbita në orbitë; grimcat e mendimeve i zgjerojnë perspektivat e gjelbra, tiparet e njomura, tkurrjet e buzëve.

 

NË PROVIDENCË mund të ndeshësh specie të zhdukura, për shembull, një statujë kalorësi, ku kali me thundrën e majtë e të ngritur është nisur drejt kujtesës së turistëve. Mbërthyer në një të ardhme të mbetur në vend, lëkura e tij e lëmuar dëshmon që sprova është e përballueshme: sulmet e syve mposhten, edhe pse ata njomëzohen prej motit, edhe pse ajri përzihet me stërmundimet e së kaluarës, si etimologjia me përdorimin e fjalëve, ose gjymtyra brenda një fjalie. Me sa duket, njeriu priret të qëndrojë brenda katër muresh kur s’e gjen dot rrugën.

 

Nga “Zakoni i ndërlikuar i rënies”

NË FILLIM kishte shira të rrëmbyeshëm dhe bota tretej nëpër pellgje, edhe pse ne ndiheshim mirë brenda epokës bërthamore dhe metodave më të shpejta. Të kulluarit e vazhdueshëm njomi pikën e thatë të së tashmes, saqë kjo përhapi një ngjyrë që depërtoi deri në rrënjët e flokëve. Unë desha të shoh misteret e fundpellgjeve, por ata s’qenë veç reflekse që na e turbulluan edhe më shumë mendjen. Ashtu siç nxjerrin në sipërfaqe shkopinjtë e verbimit sytë e një skulpture. Çdo mendim u bymye si mishi i butë pas një banje të gjatë, mungesa e përkufizimit (e domosdoshme për të qenë i lumtur), ashtu si të mosnjohurit e vetes, premton një jetë me ditë të gjata e të vakëta që shtrihen mbi trotuar përtej hijes së arsyes së mirëfilltë. Kështu veprohej zakonisht. Rrebesh dielli. Përmbytje  gjethnajash të njoma. Një mbushje e plotë e trupit na bën të ndiejmë parehati. Duke vrapuar pa pushim si drita që derdhet drejt perëndimit mespërmes kontinentit, një lumë që s’e kalonim dot pa ardhur çasti ynë, i sapolindur për t’u mbytur në metaforën e vet të tejdukshme.

 

MENDOVA SE MUND T’U SHKOJA gjërave deri në fund duke u shmangur nga logjika, por vetëm sa u rrëzova, tok me të menjëhershmen. Këtu çasti krekosej me rrumbullakësinë e vet, ndërsa unë nuk mund ta lija pas, pasi ai kish marrë vrull bashkë me mua. I dendur, si trëndafilat që çelin në errësirë, ndërkohë që unë ende pyesja veten: a janë natën trëndafilat e kuq më të errët se trëndafilat e bardhë? Po macet, a janë të gjitha gri? Por vjen një kohë kur na duhet të kalojmë nga shpjegimi tek përshkrimi, ndërmjet një shprese heroike, e cila do të na shpjerë deri në përvojë, si një dallgë e madhe përmbytëse, nxehtësie ose ndotjeje, edhe pse duket qartë që mjegullën jashtë era do ta shpërndajë. Një mace e çfarëdo ngjyre mund të zbresë në gropën përmbrapa syve dhe t’u gogësijë në fytyrë sipërfaqeve të qeta që përfaqësojnë botën e formës së arsyeshme, të quajtur realitet. Por arsyeja është e padobishme kur mungojnë premisat. Dhe njerëzit që po i humbasin edhe format e tyre më të thjeshta po mbesin rrugëve. A e cilësojmë të kryerën si të tejshkuar ngaqë nuk e dallojmë dot më prej së largu? Veta e tretë njëjës shpaloset përpara mundësive të frikshme që e zhveshin prej lëkurës, derisa unë filloj të përlotem njësoj sikur të jem duke qëruar qepë.

 

Përktheu nga anglishtja: Majla Zeneli
Redaktimi: Erina Çoku

Leave a Reply