Agron Tufa – “Nëse imagjinata e ka krijuar botën, është e drejta e saj ta udhëheqë atë”

Home » Intervista » Agron Tufa – “Nëse imagjinata e ka krijuar botën, është e drejta e saj ta udhëheqë atë”

By elvana on July 1, 2018. No Comments

 

AGRON_TUFA_MERKUNA-E-ZEZE-02

Në botëkuptimin e krishterë, kemi të Premten e Zezë ku besohet se vdes Krishti. Po Mërkuna e Zezë, cfarë nënkupton?

Të sqarohemi që në fillim: nuk kemi të bëjmë me një mit religjioz kristian, por me një mit pagan, parakristian. Mërkuna në mitet e malësisë së Dibrës ka qenë respektuar nga gratë e asaj treve deri vonë. Në fëmijërinë time të hershme, madje edhe më vonë, kam parë se si gratë, sidomos ato të fshatrave në shpatet perëndimore apo rrëzë Korabit, deri poshtë, në rrafshultën e Drinit të Zi, i flaknin punët e grarisë sapo binte muzgu i natës së mërkurë, d.m.th., kur mbaronte dita e martë. Mërkuna perceptohej si hyjneshë mbrojtëse, ndëshkuese dhe shpërblyese e grave. Ajo përfytyrohej me një kokë të madhe dhe me një furkë në krah, gjithnjë duke tjerrë lesh. Edhe në femrat e shtëpisë sonë, ky ritual i respektimit të mërkunës ka qenë ruajtur deri vonë, deri tek motra ime, për shembull. Nuk është e vështirë të hetohet një fill i qartë lidhës i jehonës prehistorike të matriarkatit. Pra, nuk ka asnjë lidhje me mitin e krishterë, ndonëse shumë mite pagane janë veshur me petkun fetar kristian.
Kështu, për shembull, në mitologjinë sllave nderohej analogjikisht një perëndi-grua, me emrin Mokosh ose Makosh. Ajo ishte një ndër perënditë më të epërme në panteonin pagan sllav, e dyta pas Perunit, i cili ishte ekuivalent i Zeusit, por paraqitej gjithnjë me një sfurk tredhëmbësh (së këndejmi, etimologjikisht mendoj se e ka prejardhjen piruni që përdorim ne si takëm ngrënie). Me kalimin e sllavëve paganë në kristianizëm, edhe Mokosh/Makosh, që përgjigjej për gjininë femërore, u zëvendësua me Shënepremten (svjataja Paraskievna, shqip – Parashqevia), dhe nderimi për të bëhej nga graria të premteve.
Unë mendoj se sllavët, që në fazat e para të kontakteve me popullatën e substratit iliro-arbër kanë huazuar shumëçka, ndër to dhe kultet. Gjithësesi, Mërkuna këtu paraqet realisht një rudiment të mitit matriarkal, që ka mbijetuar në zonat e paprekura nga ndikimet e forta të tradidave të reja.

 

Pse asnjëherë nuk realizohet e plota e përsosur 100, por ka gjithmonë një dele të bardhë dhe 99 të zeza?

Sepse është e pamundur dominimi absolut i së keqes, sikundërse dhe e anasjellta. Ajo dele e vetme e bardhë është oponenca, mundësia potenciale për t’u dominuar me 99 të bardha dhe një të zezë. Po ta vini re mirë, kemi diç analogjike me Ing dhe Yang, por vetëm gjysmën e spërdredhkës me një pikë të bardhë.


Nafaka është “risku” apo fati i mirë i cili shkruhet tre ditë  pas lindjes së njeriut. Po në roman, çfarë përfaqësojnë ato?

Të sqarohemi sërish: nëse do ta kisha çuar në mendje se ç’do të thonin simbolikisht emrat, ngjyrat, numrat, etj, etj, do të më ishte shpifur të shkruarit. Por sigurisht asociacionet e pavetëdijshme që punojnë tek krijuesi gjejnë automatikisht lidhje e përkime të misterta. P.sh., në vegjëli sinonimin e huazuar të shpresës, e kam ndeshur më dendur në mallkimet e grave: “T’u preftë nafaka!”. Nafaka këtu paraqet një risk, një shpresë mashtrimtare, një përngjasim diabolik e tundues i Circes së bukur që mjegullon vetëdijen, për të paralizuar protagonistin e papërvojë, e që mandej, ta ketë të lehtë ta shndërrojë në “derr”. Apo më saktë, në një lloj flije për ritualet e sektit të shtriganisë, që i është përkushtuar Mërkunës.

Në realizmin magjik, koha vihet gjithmonë në pikëpyetje. Ajo nuk mund të përcaktohet lehtë. Në Ivranaj bie vetëm borë dhe nuk ka shenja të pranverës. Çfarë fshihet pas kësaj?

E kuptoj ç’doni të thoni… Jo vetëm në realizmin magjik koha (e nëse doni, edhe kategori të tjera metafizike) nuk mund të përcaktohet lehtë. Ja, për shembull, tek Kafka kjo është e dukshme. Në fshatin Ivranaj bie borë, sepse rrethimi duhet të jetë i tillë: i akullt, i pakapërcueshëm, përpos që ky rrethim vdekjeprurës, përmbush edhe një funksion të rëndësishëm në rrëfim: hapësirën e kufizuar. Romani shoqërohet me minus hapësirë, nëse nuk llogaritim trajektoret e udhëtimeve pas vdekjes të shpirtit të Gurit.


Fshati Ivranaj është një fshat izoluar nga malet e bora që duket sikur e shndërrojnë atë në një kurth pa asnjë shteg rikthimi dhe kjo e shton ndjenjën e ankthit që përjeton e rrëfen narratori. Si mund të kuptohet ky lloj izolimi shpirtëror dhe fizik?

Mendoj se në këtë pikë romani jep shpjegim racional: forcat e natyrës, ndër to dhe hëna e zezë, janë të pakontrollueshme nga forcat e njeriut: ato përkojnë, përputhen për aq sa të shkaktojnë ringjalljen ciklike të hyjnisë, kur mendohej se kjo lidhje është dobësuar dhe me besimin e përkushtuar fanatik, t’i sjellin asaj flinë mashkullore si dëshmi. Dikotomia femërore/mashkullore këtu mund të kundrohet vetëm si jehona civilizimesh prehistorike (matriarkat/patriarkat), aspak në kuptimin e sotëm gender.

les-trois-parques-giorgio ghisi
Narratori në këtë roman, na paraqitet si një shpirt që vjen rrotull fshatit duke u zhytur në histori të mistershme dhe të pashpjegueshme por edhe të pranueshme nga personazhet. Kjo bën që edhe lexuesi nuk e kupton kufirin fluid midis reales dhe  A mund të flasim për realizëm magjik në romanin tuaj?

Kategorikisht jo. Me gjithë respektin që kam, të paktën nuk ka qenë haseti (djega) ime për të shkruar në këtë traditë, që të gjithë e pandehin latino-amerikane, por që është shpaluar fuqishëm në prozën e viteve ’30 me prozatorin dhe mitologun rumuno-francez, Mirçea Eliade. Megjithatë interpretuesit janë të lirë të gjejnë argumente mbushamendëse për “realizëm magjik”. Por, e theksoj, meqë dreqi më bëri t’i njoh mirë epokat, stilet, shkollat e rrymat kulturore (të cilat i jap leksione në Universitet), se eksperimentimi im gjysmë i vetëdijshëm ka qenë në një kah krejt tjetër. Pas Modernizmit dhe Postmodernizmit, qasja ndaj mitit në narrativën letrare duhet pozicionuar qartë. Dhe meqë të dyja këto paradigma epokale në letërsi kanë krijuar etalonet e tyre, unë kam vrarë mendjen qysh herët, student jashtë atdheut, nëse ekziston ndonjë dalje nga këto ‘diktatura’ në art. Sigurisht origjinaliteti, autenticiteti, poetika personale etj, etj, janë shpëtimtare, por si t’ia bësh që, estetikisht, të kryesh një operacion të padukshëm mbi lëndën ku të mos duken farë shenjat apo vragat e bisturisë. Më troç: të flasësh për mitin si modelues të rrëfimit, pa u ndjerë se po bën diçka kastile, me truke të njohura të estetikës moderne apo postmoderne. Unë e kam bërë këtë me estetikën e së zezës (së errëtës) që gjendet brenda njeriut/njerëzimit, në thurje me të bardhën (bora) që gjendet jashtë tij e që është atribut i natyrës. Si konfrontim i këtyre dy alkimive shpirtërore e fizike, lind në fund ngjyra e tretë, e kuqja (gjaku mbi dëborë). Por në të gjithë rrëfimin, kapet ndërmjet rreshtash një mit tjetër, ai i tekstit: gjithë rrëfimi është thurje me lëndën bardhë e zi, pra endje, tekstil që ekzekutohet me tre ngjyra. Kujtojmë prejardhjen e fjalës tekst nga latinishtja (textus – thurje, endje, tekstil). Më së mirë e më saktë ia ka qëlluar kësaj në një ese rreth romanit “Mërkuna e Zezë”, shkrimtari Balil Gjini (“Mërkuna…” si molepsje estetike”).
Gjëja më e pëlqyeshme më është dukur rikthimi i stileve të dikurshme, estetika e tyre, e ripërpunuar me përvojën shtesë të shekullit XX, fjala vjen të rimarrësh sot gotikën, barokun dhe rokokonë. Me romanin tim të parë “Dueli” (1998) e kam bërë këtë dhe estetikën e tij pa frikë unë e quaj “neobarok”. Të njëjtën mund të themi për “Mërkunën e Zezë”, e cila është fund e krye në estetikën neogotike.


Sipas Isabel Allende, realizmi magjik është një mënyrë e të parit të jetës duke përfshirë aspektet emocionale dhe shpirtërore dhe është në mënyrë të veçantë e pranishme në letërsinë e vendeve të pazhvilluara, për shkak të dhunës dhe varferisë të cilat e cojnë shkrimtarin drejt një bote supernaturale ku kërkon shpjegime dhe shpresë. Po në këtë roman cili është qëllimi i ndërfutjes në tekst se botës mitike, riteve pagane, fantazmave e të vdekurve që flasin?

E para, nuk jam dakord me mendimin e Allende-s, sepse kundër këtij mendimi të saj ngrihen përvojat para dhe pas saj. Atëherë do të pyesnim: po romanet e Gustav Majrink-ut (“Golem”, “Engjëlli i dritares perëndimore”, “Domenikani i bardhë”, “Lakuriqët e natës” et); po romanet e Folknerit? po “Mjeshtri dhe Margarita” i Bulgakovit? po “Pan” i Knut Hamsunit? Po “Zoti i mizave” të Uiliam Goldingut?
Pra mendimi i Isabel Allende-s (të cilën nuk e kam konsideruar ndonjëherë ndonjë shkrimtare as interesante) është tejet i relativizueshëm për t’u shtrirë gjithkund si parim.
Qëllimi im i ndërfutjes në roman të botës mitike, riteve pagane dhe të vdekurve që flasin, paracaktohet vetvetiu nga lënda, në akord me të cilën duhet të harmonizohen dhe postulatet e përligjjes së mitit. Nëse do punosh me një lëndë gotike ku mbizotëron e zeza, atëherë do të japësh një botë homogjene të një gotike jokristiane, pagane në këtë rast, të përshkuar nga fryma demoniake e hyjnisë matriarkale.
Por e thashë më sipër: për shkrimtarin këto janë zgjedhje intuitive, symbyllurazi, kërkimi i klaviaturës me tahmin në terr. Mbase pavetëdijshëm ka ndikuar një punimi im i hershëm mbi mitologjinë greke (i pambaruar), kur isha student i Institutit “Gorki”, i cili rreket të hulumtojë rivalitetin primordial midis perëndive të matriarkatit dhe patriarkatit. Triumfin e njërit mbi tjetrin. Vetë titulli i punimit e nënkupton këtë (“Apoloni apo Hekata?”)


Në realizmin magjik kemi ndërrimin vendit te  shkakut me  pasojën. Në roman shpjegohet qartë urrejtja e grave ndaj burrave. Pra jepet vetëm pasoja. Por  cili është shkaku i kësaj lufte mes dy palëve?

Si gjithmonë shkaku është dhuna, dhunimi, fyerja, poshtërimi. Jehona e kësaj dhune mbartet që në pakujtesë, atëherë kur burrat që adhuronin Enjtin, një lloj kryehyjnie mashkullore midis Zeusit dhe Dionisit, u lëshuan ditën e ndërrimit të tij në një gjah të shfrenuar orgjie seksuale, pra një dafrungë (festë orgjie) mbi femrat pa dallim pragu, përkatësie e tabuje. Kundërpërgjigjja vjen nga femrat më vonë, në ditën e kultit të tyre të Mërkunës, që ua shpërlejnë meshkujve me të njëjtën monedhë dhunën, madje edhe më mizorisht, duke i fshirë pothuaj të gjithë nga faqja e dheut, me përjashtim të ndonjërit tek-tuk, sa për funksionin e riprodhimit dhe dobive më të ngutshme sociale. Nëse nevoja të tilla nuk ka, atëherë sekti e likuidon pa hezitim çdo mashkull, atëherë ai mund të shërbejë vetëm në trajtën e çmuar të flisë për ritin e përkushtimit ndaj hyjnisë së tyre, Mërkunës.


Tek ky roman ndjehet frika, zymtësia, vdekja. A mos nenkupton vallë qe realiteti është po aq i mistershëm dhe i frikshëm si një ëndërr e tmerrshme në një natë të ftohtë dimri?

Si minimum, po. Në shoqëritë e sotme sektante, ku ndërthuren sektantizma të natyrave të ndryshme, njeriu i lirë është gjithmonë i rrezikuar, gjithmonë i shenjuar si një “fli” e ardhshme, që do të gjenerojë fanatizma të rinj, do të forcojë, homogjenizojë (verbojë) përligjjen e tyre. Pak rëndësi nëse këto sekte janë fetare, sataniste, politiko-ideologjike, kriminale, ekonomiko-financiare, regjionare, nacionaliste, homoseksuale, gjinore etj, etj… E frikshme është bindja e verbër e naive e njerëzve, e më pas, teknologjia qw i shndwrron ata nw fanatikw radikalw: dorëzimi para pedogogjisë së mashtrimit, alibisë e manipulimit permanent për t’i kthyer ata në skllevër të sektit dhe për t’ia kundërvënë hapësirës së njerëzve të lirë, të cilën synojnë ta përfshijnë në botën e tyre homogjene, një botë e strukturuar gjithmonë në konfrontim polesh, ku njëri pol duhet ta likuidojë medoemos polin tjetër.


Ëndrra në realizmin magjik është një aspekt i rëndësishëm i tij. A mos po sheh djali një ëndërr brenda ëndrrës që nisi sapo ai nanuriset mbi kalë rrugës për në Ivranaj? Zymtësia e botës së jashtme dhe asaj të brendshme miksohen se bashku pa asnjë kufi midis tyre.  Pse ëndrra është saktësisht mungesa e kufijve midis këtyre lloj errësirash? 

Nuk e mendoj ashtu. Ëndrra vërtet luan një rol të rëndësishëm në veprën time dhe brenda “Mërkunës…” kemi aspekte onirike, por e thashë: gjithçka shkon përshtat stilit gotik. Eksperimenti im në këtë roman (i cili nuk ka pse të shpallet) quhet neogotizëm më lëndë mitologjike shqiptare, madje krahinore, ku Ivranaj mund të konsiderohet si krejt bota.
Gjithsesi një shpjegim lexuesi e ka në epigrafin e romanit: “Nëse imagjinata e ka krijuar botën, është e drejta e saj ta udhëheqë atë”. Ky epigraf i referohet zanafillës së romanit dhe përcakton kufirin midis botëve të trilluara artistike dhe letërsisë si fakt dokumentaro-memuaristik. Pra nuk është ëndërr me përpjekje për zgjime po në ëndërr, etj, etj., dhe as metafora dilematike e Lao Czi për njeriun që sheh në ëndërr një flutur apo për fluturën që sheh në ëndërr njeriun.
Në fillim unë desha të shkruaj një miniaturë rreth 1.5 faqe tekst, për një vizitë timen tek nandaja ime, ndjesë pastë, kur duhet të kem qenë jo më shumë se 6-7 vjeç. Kur u kthyem nga një prej vizitave tradicionale të pasdarkave ne fisin e dajave, që zgjasnin shumë, të gjithë gra e burra (përfshij dhe mua), mbaj mend se qëndruam nën dëborë përjashta, nga që gjyshja ime (ndjesë pastë), nuk po na e hapte derën. As nuk përgjigjej. Ajo ishte e vetmja që kish qëndruar brenda, duke u kujdesur për një fëmijë të vogël në djep. Më vonë, pasi burrat e shkulën derën nga çivitë dhe në hymë brenda, e gjetëm gjyshen të alivanosur, shtrirë për dysheme dhe pështjellë rreth fytit me fije të panumërta leshi të zi, nga po ai lesh që qe formuar rreth boshtit me fijet e dredhura nga shtëllunga e furkës, e cila, gjithashtu, gjendej përbri saj. Pasi e përmendën dhe i përzunë të vegjlit nga dhoma (unë kisha privilegjin se flija në atë dhomë me gjyshen dhe menjëherë u shtira sikur fle, me kokë nën jorgan), ajo u tregoi të rriturve, se si përdesh e kishte mbytur Mërkuna.
Mirëpo rrëfimi i kësaj historize zgjatej e zgjatej dhe nuk kishte të sosur. Vazhdova kështu të shkruaj nga dhjetë-trembëdhjetë orë në ditë, pa ia pasur idenë aspak se çfarë do të sillte paragrafi tjetër. Pas pesë ditësh rrëfimi nuk shtyhej më asnjë rresht më tepër dhe në kësi rastesh, nga përvoja e di, se romani ka mbaruar.

 

Leave a Reply