Fundi dhe fillimi bëhen mesnatë – Belfjore Qose

Home » Kryesore » Fundi dhe fillimi bëhen mesnatë – Belfjore Qose

By elvana on June 25, 2018. No Comments

 

 

 Agape

 agape

Ka një orë,

Kur zërat nuk i njohin më fjalët,

Kur mes dritës dhe errësirës ngrihet heshtja,

Kur trupat zbrazen nga pesha

Dhe bëhen flatra,

Kur fytyrat tona pluskojnë ujërave

Syhapura, gojëngrira, derisa fundosen

Në një lumë që merr me vete gjithë ç’kemi mbledhur.

Dhe atëherë,

Ndërsa jemi pa fjalë,

Pa kujtesë të mirë a të keqe,

Mnemosina na mëkon me një gotë të madhe,

Dielli plas si një vezë e kuqe,

Gjithçka përflaket – zjarr krijimi,

Të tjera jetë na rimenden,

Të reja a të vjetra.

Udhëtimi ynë sapo ka nisur:

Hedhim hapa në një tokë të panjohur,

Shkojmë drejt gostisë së muzave,

Me sy e vesh të uritur.

Në këtë orë

Rikthehemi fëmijë,

Palca jonë e butë e mbushet me tinguj,

Koka me dritë,

Tashmë e dimë

Ç’është agape.

 

 

Asgjë nuk ka më emër

 

Veshët janë mbushur me zhurma dallgësh,

Gojët janë breg me jod e leshterikë,

Lëkura e ditëve tona depërtohet nga uji,

Zemra është një oqean që pompon ëndrra.

Nëpër kapilarët e kaltër prej rrymash,

Midis meje dhe teje,

Një yll bie mbi varkën e vetme në breg.

Midis kohërave dhe vendeve,

Peshqit ende urdhërohen të bien në rrjeta dishepujsh.

Midis një dite dhe përjetësisë,

Midis gjërave, është një tokë e përralltë,

Ku perëndimet përflaken nga puthjet,

Shqisat tejngopen, nuk dallohet më asgjë.

Asgjë nuk ka më emër,

Përveç detit.

 

 

Perceptimi i ngjyrave

 

Në botën e djeshme fëmijët e dallonin dëborën e parë

Nga ngjyra e shtrirja e saj mbi pemë e çati,

E gjelbra e barit lëkundej nga tundja e erës

Dhe fustanet e grave mbartnin kozmogoninë me vete.

Gdhendeshin shegë në dhomat e të sapomartuarve,

Vajzat i njihnin llojet e të kaltrës,

Atë të qiellit, të ëndërrimit, të ngutit për t’u rritur.

Kromatika e së kuqes ishte në lëkurë,

Në duart që lanin në ujin e ftohtë,

Në skuqjen e fytyrës pas shikimit që rëndonte mbi zverk,

Në gojën e foshnjës që zgjatej për të pirë,

Në gjunjët e fërkuar mbi shtrat në kërkim të parajsës

Tokësore, të ndarë në katër kuadro stinësh.

Me siguri është pozicioni i diellit ai që zgjedh fytyrën tonë,

Të përditshmen e të përjetshmen që na lag qerpikët.

Kur hapat ndalen në fund të një shtegu pa krye,

E hirta shpaloset në qiell – unazë që mbyllet drejt teje –

Dhe bota e së sotmes nis rënien e saj të lirë

Drejt humnerave, pa qartësi ngjyrash e trajtash,

Me vetëdije të gjymtuar përgjumet ndanë sendeve.

Aty ne kërkojmë të bardhën dhe të zezën,

Në jashtësinë e trupave, në kopshtin e ngjyrave,

Sytë rrëmbushen me mugullime kulprash.

Kush mundet ta shohë këtë metamorfozë klorofili,

Kush percepton të gjelbrën e unit të ndryshuar?

Një ngjyrë e re po krijohet,

Përgjatë shndërrimit të lëkurës në luspa fekëtitëse,

Të flokëve ku shpërthejnë pendë pa ngjyrë;

Përthithin spektrin që kanë njohur retinat tona,

Ngrohtësinë e prekjeve që kanë ndjerë trupat tanë,

Gojët që na kanë puthur, detet ku jemi larë,

Kokat që janë shplodhur në kraharorët tanë,

Shputat me të cilat kemi pritur lindjen e diellit.

Tashmë, një ngjyrë e re përmbledh ndijimet tona,

Është e pakapshme nga sytë e mendja,

Por diç thellë në kraharor e di se është aty,

Nuk shihet, por me të jetohet

Pafundësisht.

 

 

A jemi trupa a dritë?

Varka rrëshket në bregun e tejpashëm…

Niset, kështu duket, drejt një toke të largët,

Prej nga jehona zërash trazojnë harresën e ngrohtë.

Det pa dallgë,

Det paanë,

Ëndrra dite dhe plogështi,

Varka përkundet mbi lëng ari,

Dremitet nga këngë violinash të largëta:

Gjithë pasuria e mbledhur – ky ujë.

Spiralja e kohës na rrotullon në vend,

Rremtarët e dinë se ujërat janë të magjepsura,

Zotërinjve të tyre u faniten figura madhështie,

Por në fund të gjitha brigjet janë njësoj.

Uji natën ka lëkurë të argjendtë,

Faqja e ftohtë e hënës feks mbi sipërfaqe,

Shëmbëlltyrat i kthen mbrapsht.

Zi pa dallgë,

Zi paanë,

Magnetizëm i pafré me shtëpinë,

Atje në jugperëndimin e largët,

Ku na presin me mall qepallëpulitur.

A do jemi ata që presin, ata që u nisëm?

Në mëngjese i lutemi erërave,

Asgjë nuk lëviz, duar të padukshme na kapin për fyti,

Ashtu siç kap kotësia një grua të cilës i ikën i dashuri,

Kërkon gjithë çka humbur në fajin e tij.

Kaltërsi pa dallgë,

Kaltërsi paanë,

Busulla tregon se jemi endur vendnumëro,

Këtij deti nuk iket,

Këto ujëra mbajnë shumë më tepër se pengjet.

 

Diell paanë!

A jemi trupa a dritë,

A peshë ankthi mbi ujë,

A është limani a ky det,

Vetë vdekja?

 

 

 

Engjëll pasditeje

 

Tingujve të zvarritur tretet lodhja e syve,

Pothuajse e puthur prej trishtimit varem

Në gjethet e gjelbra të oborrit të fqinjëve,

Duke tymosur kaltërsinë e fundit të qiellit.

 

Ti je engjëll pasditeje, pa fytyrë e tipare,

I vjetër sa tërë pasditet që lanë me flori këtë tokë,

I lodhur prej ankesave mbi boshin e qiellit,

Ndërsa ti me një lëvizje krahu përfshin dritën.

 

Ka grimca vullnetesh mbetur pezull,

Që si lule të sapokëputura vdesin në duart e natës.

Ka tek të gjithë të gjallët një minutë malli

Për gjithçka që jemi e nuk dimë.

 

I ulur në skaj të ndërgjegjes, ti rritesh me errësirën,

Pasditet bëhen pirg në sytë e tu të kthjellët,

Si brigjet që me shkumën e tyre përkundin

Dashurinë tënde mes ujit dhe tokës.

 

Ti kalëron mbi ëndrrat e pasditeve,

Pa zhuritur as cepin e tunikës tënde ngjyrë hëne,

Me durimin e urtisë që nuk njeh veten

E përmbushjen e misionit tënd të dyshimtë.

 

Tërë kureshtjet fashiten prej llomotitjes,

Trishtimit të derdhur në filaxhanin e çajit,

Shenjave që ti lë në cepin e pasdites,

Engjëll i heshtur – trëndafil në vazo.

 

Ke në flokë gurë iluzionesh që ndrisin,

Si magjepsje magësh në blunë e qiellit,

I gjallë dukesh pothuaj: me plagë si ne,

Sapo bukuria fillon të tretet mes ajrit të natës.

 

 

 

Fundi dhe fillimi bëhen mesnatë

 

Ka nga një djall pas çdo dere të shtëpisë sime,

Për çdo mur që prek rrezaton gëzofi i një maceje,

Ka tela që duart m’i lidhin me hënën,

Duke formuar një bisht peshku të pashkatërrueshëm.

Përndryshe rendi i universit i del duarsh krijuesit,

Nga ai sistem i përsosur me rradhonj mekanizmash,

Ku… ka për çdo natë nga një vajzë të vrarë.

Na duhet të ecim në gjakun e tyre t’amshueshëm

Duke zvarritur këmbët nëpër dhoma e korridore.

Ka për çdokënd nga një fytyrë që të tjerët ia shohin,

E vetë s’sheh, përpos shëmbëllime pasqyrash.

Ka skërmitje pas gurëve të ngritur pezull prej frymës,

Ndërsa fyelli bie dhe na thërret ta ndjekim;

Ujërave të arta me varka prej himnesh ne lundrojmë,

Velat tona janë prej lutjesh dhe rrymat po stisin të mbramet vorbulla.

Nga qielli i zbrazët tingujsh na sheh

Trekëndëshi i vulvës –

Fundi dhe fillimi bëhen mesnatë.

 

 

Para se drita të thyhet

 

Në largësitë prej ditësh që masin rrugët nga lëkura ime

tek lëkura jote,

Kanë nxjerrë kryet filiza të brishtë fillimesh

të reja prej drite.

Zgjatja e duarve asgjë nuk sjell veç zhytjes më të thellë

nën lëkurë,

Hapësira është mbushur me avullin e tingujve

të ngopur me pasiguri,

Me të tashme kapur në gracka prej rrënjëve

të thella të së shkuarës.

Koha jostatike dhe universi flasin për rrotullime,

pengje e pengesa të pafundme,

Po kaq banale dhe të përmbajtura sa fryma ime,

që nuk guxon dot

Të dredhet si llavë prej enës së trupit drejt teje

me tërë paturpësinë

E një gruaje të papjekur që kërkon nëntë muzat

në një vështrim.

Ka zambakë të bardhë në ujë dhe dëshpërim

tretur në tinguj,

Shkëlqimin e syrit të Zotit reflekton liqeni

ku kemi mbytur shpresat.

Për vetëm pesë minuta para se drita të thyhet

prej vendimeve e ndëshkimeve,

Një dritë e re shpërfaqet, krejt e njëjtë me modelet

që krijojmë për t’u ikur,

Madje edhe fytyra jote teksa tërë imazhet

e shpejta zhduken,

Madje edhe vija e gjakut që na lidh pavarësisht

rrebesheve e stuhive detare,

Është krejt e njëjtë, si frymëmarrja e lehtë e Zotit

brenda lëkurëve tona.

 

Leave a Reply