Pleqtë kalojnë “matanë” – Stefano BENNI

Home » Kryesore » Pleqtë kalojnë “matanë” – Stefano BENNI

By elvana on May 31, 2018. No Comments

stefano benni
Na ishin njëherë dy pleq, që donin të kapërcenin rrugën, pasi kishin marrë vesh se matanë, ishte një kopsht i madh dhe një liqen. Pleqve, të cilët quheshin Aldo dhe Alberto, do t’u përqente shumë të shkonin atje. Ata u munduan ta kapërcenin rrugën, por ora ishte dhjetë e mëngjesit dhe kishte shumë trafik.

– Gjejmë një semafor, -tha Aldo.

– Ide e mirë, – tha Alberto.

Ecën derisa e gjetën një, por për këmbësorët rruga ishte bllokuar dhe makinat kalonin edhe mbi vijat e bardha. Aldo u përpoq të përparonte ca metra, megjithatë u detyrua të tërhiqej mbrapsht nga boritë e nga të sharat e shoferëve. Atëherë tha: “Le të mundohemi të kalojmë në ndonjë çast, kur të gjitha makinat të jenë të ndalura”. Po vargu ishte aq i dendur, sa edhe sikur pleqtë të bëheshin sardele, nuk do të mund të kalonin. Madje, Aldo ngeci te parakolpi i një makine, ndërsa i zoti i saj zbriti gjithë nerva, e kapi për zverku, e hoqi që andej dhe, pa ditur ku ta çonte, e vuri mbi kapakun e motorit të një makine tjetër.

  • Oh jo, këtu jo! – ia priti i zoti i makinës së dytë, dhe e vendosi plakun mbi karrocerinë e një kamionçine.

Kështu, kapje pas kapjeje, Aldo për pak mbërriti në anën tjetër të rrugës. Por shoferi i kamionçinës ndezi sinjalin e djathtë dhe, teksa mallkonte plot turfullima, arriti të kalonte rrugën dhe ta lëshonte Aldon pikërisht në anën nga ishin nisur më parë dy pleqtë. Po afronte mbrëmja, kur Aldos i shkrepi një ide tjetër:

– Do të shtrihem në mes të rrugës dhe do të bëj sikur kam vdekur. Kur makinat të ndalen, ti mos e zgjat, kapërceje rrugën shpejt dhe, pas teje, do të kaloj edhe unë menjëherë.

– Kësaj radhe s’paskemi për të gabuar më! – tha Alberto.

Aldo u shtri. Mirëpo, në çast, ia behu një veturë e zezë që nuk frenoi, por i dha një goditje aq të fortë, sa e shtyu vërtet drejt mesit të rrugës.

– Shpejt, jepi! – thirri Alberto.

Por tjetri s’pati kohë. Me një të goditur, një motor i madh e fluturoi Aldon në anën e kundërt. Si kërceu kështu nja tri-katër herë, më në fund, plaku e gjeti veten përsëri andej nga ishte nisur.

-Ç’të bëjmë? – pyeti.

-Të zëmë ndonjë biçikletë, – tha Alberto.

Kështu, pritën një grimë dhe, sapo kaloi andej një plak me biçikletë, u hodhën mbi shalë ( u dilte mjaft të treve, sepse ishin shumë të dobët). Aldo ia nguli llullën në shpinë plakut të tretë, që quhej Alfredo, dhe tha:

– Kthehu majtas, ndryshe i mjeri ti!

– Majtas?! Po mua më duhet të vazhdoj drejt!

– Lëviz, – foli prapë Aldo, – ose ta mbusha barkun me duhan.

Alfredo nuk e kuptoi mirë kërcënimin, por gjithsesi u tremb dhe u mundua të merrte nga e majta, por ia behu një Benz që ua çau biçikletën më dysh. Më pas, erdhi policia.

– Si ndodhi?

– Unë jam deputeti De Bala, – tha i zoti i Benz-it.

– Atëherë,  mund të vazhdoni, – tha polici. –Po ju të tjerët, ç’keni për të thënë?

– Ne donim të përshkonim rrugën, – thanë tre pleqtë.

– Pa dëgjo, pa dëgjo! Ah, këta pleqtë e sotëm, gjithmonë të pakujdeshëm, psherëtiu polici. –Ka shumë trafik, kurse ju jeni pleq e të sëmurë.

– Ju lutem, na ndihmoni ta kapërcejmë rrugën, – tha Aldo.

– Duam të shkojmë te kopshti, – tha Alberto.

– Ndryshe, do të ma mbushnin barkun me duhan, – tha Alfredo.

– As nëpër mend mos e çoni, – tha polici, – do t’ju kthej mbrapsht. Nga ç’anë erdhët?

– Andej, – tha Alberto, duke treguar trotuarin që donin të arrinin.

– Atëherë, atje po ju çoj dhe të gjorët ju, po u munduat prapë të kapërceni rrugën, – tha polici.

Kështu, të shoqëruar nga polici, tre pleqtë kaluan matanë dhe arritën te kopshti. Ishte me të vërtetë një liqen i bukur. Ndiheshin aq mirë, sa nuk u kthyen kurrë më.

Përktheu:  Alban Bobrati

 

Leave a Reply