Penelopa

Home » Kryesore » Penelopa

By elvana on May 15, 2018. No Comments

Agron TUFAPenelope1

Qe nisë Odiseu sërish në luftën e huaj. Çdo krye njëzet vjetësh, dihet, ai do të kthehet. Në mënyra të ndryshme. Mbamendja më e freskët është, pothuaj gjithmonë, hera e fundit…  Dhe të fundit herë në kujtesën e gjindjes kthimi i Odiseut në ishull është ngulitur, përfundimisht, mbi një gomone klandestinësh. Themi kthimi i fundit, përderisa memoria e Itakës, nuk regjistroi më pas atij kthimi ndonjë nisje të sërishme të djalit të vetëm të Laertit.
Gomonen thonë një palë, Odiseu e pati rrëmbyer me nxit nga një anije kontrabandistësh, kur mbi të hapën zjarr në det të hapur ca piratë somalezë.
Anija, kuptohet, mbeti pre tok me trafikantët e paguximshëm dhe me mallrat e ndaluar në hambar.       Odiseu me tre shokët e tij u shkarkuan nga një derë e fshehtë e anijes dhe rrëshqitën bashkë me gomonen në ujërat e errëta të mesnatës mesdhetare, që ndriçoheshin e feksnin për pak në atë rrëmet prej zjarri, të shtënash dhe bombash ndriçuese. Breshëritë e kallashëve nuk i ndaluan dot, derisa errësira i fshehu. Natë, si të gjitha netët e ngjashme që pati përshkruar Homeri, pa hënë, ku hëna nuk figuron në trupat qiellorë, nuk përmendet në asnjë varg të poemave të tij.
Medja e hollë e dredharake e Odiseut është s’është ndonjë gjë e re. Njëri nga shokët e tij kishte marrë një plumb qorr, që mund të kishte qenë vdekjeprurës, por në ato kushte rënkimet e tij veçse prishnin punë, andaj, siç thuhet, trupin e tij ua bënë peshqesh peshqve. Ndaj të zbardhëlluar fati i të tjerëve nuk qe më mirë: një rulon i rëndë dallge u çua i egërsuar nga deti i trazuar dhe i mori me vete, pikërisht atëherë kur qenë shfaqur të marrta në horizont brigjet e vagëlluara. Odiseu shpëtoi, se duhej të shpëtonte. Dhe gjithmonë (dihet dhe kjo) atë e priste e njëjta grua besnike: Penelopa.
Kur erdhi në vete qe një paradite e ngrohtë me diell të plotë. Flokët e gjatë dhe faqja e djathtë i qenë pleksur e ngjeshur në kumin e lagësht të bregut dhe një gaforre e kuqe, këmbëngulëse, mu si një çelës anglez, rrihte t’i hapte dhëmbët e kyçur. Ujërat qenë vaj; gëzimi i mbijetesës i dha aq forca e kurajë të ngrihej, të futej sërish në ujëra, tashmë për të gjetur ushqim – zeje tepër e lehtë kjo për një detar të sprovuar si ai. Kuçka Athina-sykthjella kishte qenë e vëmendshme kësohere: nuk u zdërhall nëpër dafrrungat e Olympit. Ndoshta e mërzitur prej endjeve të tij mijëvjeçare ajo i tha fund tutelës rraskapitëse me të, duke e hedhur në brigjet e ishullit amtar, saqë ai, me barkun e nginjur tashmë dhe shqisa të përtërira arrinte të shihte me sy të paarmatosur ngrehinat e bardha të qytetit që shullëhej me diell të butë vjeshtak në mes të shpatinës së zverdhur nga mërsinat, të ndjente, ndonëse të përlargët, jone zërash e vikamash njerëzorë, ndonjë pallmë gomari, kukarekunë e ndonjë gjeli të vetmuar dhe intervalet e një melodie monotone me fyell, diku afër.
U nis të ngjitej shpatit, andej nga ndjehej melodia me fyell. Gjykuar nga ngjyra e përgjakur e frashërve, panjave dhe mersinave, tetor duhet të ketë qenë. Bariun e ndeshi diku, në një pllajë afër majës, ku zabeli qe fare i rralluar nga shkurret. Delet kullosnin në korije dhe për fat, nuk kishte qen. Duke parë se i panjohuri ishte për t’u mëshiruar, bariu nuk tregoi shenjë shqetësimi, aq sa përtoi madje të ngrihej nga një bythore e vjetër ku qe ulur. Pyetjeve të të panjohurit iu përgjigj pa ia hedhur sytë, duke ruajtur ftohtësinë e një distance të qëllimshme, që tjetri, me gjasë, të mos i lypte gjësend, përpos atyre përgjigjeve.

– A jeton akoma Penelopi, gruaja e mbretit Odise? – pyeti i panjohuri, pas përshëndetjeve rutinë.
– Paj… të kishte pasë vdekë, – ia nisi ai, me fyellin në dorën e majtë të shmangur disi anash, – do ta kishte marrë vesh i madh e i vogël, – dhe, pasi pështyu mënjanë, shtoi: – Po ty, a s’më thua more dashamir, pse po të hyka në xhep?
– Kureshtje koti… – nëpërdhëmbi Odiseu. – Dikur kam qenë në gostë këtyre anëve dhe bujta një natë tek Laertët. Do thënë se më pritën mirë asokohe… Odiseu me të shoqen, desha të them…
– E tash, me ç’po shoh, të paska vjellë deti… as po? Se mos na sjell ndonjë zgjebe a flamë në ishull! Nesje… Nëse ke ndërmend me ua msye atyne ledheve të nalta, dije se kanë marrë fund me të tana…
– T’u rrittë ndera, zotni, – mërmëriti Odiseu dhe mori shtegun që të nxirrte në paralagjet e qytetit, por befas u ndal, u kthye rish kah bariu dhe me një ton të lartë e pyeti nga distanca:
– Thonë se ajo… Penelopa… e kalon kohën duke thurë e shthurë një velenxë… se me këtë ajo, në njërën anë mashtron mëtonjësit, nga ana tjetër fiton kohë, gjatë së cilës shpreson t’i vijë Odiseu. Sa për t’u xanë besë asht kjo, or mik?
– Qimja tra qenka bâ, zotni i dashtun! S’di kah e ke ndie kët theshnajë. Kjo njëmend ka pasë ba vaki dikur, vjet 15 ma parë, kur hiret e Penelopit, paj edhe pasunija, mundnin ende me i shti në ngasje një grumbull aristokratash spitullakë, tansej rioshë tarakë të Itakës. Po ata për një motmot, pajadá, e banë pallatin e Odiseut një shesh e përshesh orgjish të shfrenueme, a thue se vetë Dionisi qe shtrue me shpurën e vet me haje e pije, derisa ia shkretën krejt pasuninë. E kur mandej malli e gjâja qenë ba rrush e kumbulla, ç’teproi e shitën a e ndanë ndërmjet vedi, ndërsa hiret e Penelopit ranë në ujdi me i provue si ortakë shtrati ka një muej secili, simbas shortit. Kështu or mik, kjo store zgjati kund nja tre vjet, pa as ma të voglin sherr. E kur tre vjet rrodhën në ujnat e Lethës, Penelopi qe kthye tashma në një hoje të shkullueme mjalti, një asi mbeturine femnore që nuk ia ngrefte ma asnjë mashkulli. Shtoj këtij fakti edhe rritën e Telemakut e burrnimin e tij… e në kësi kushtesh ca gjanave u del krejt lezeti. Me një fjalë, or mik, jo sall aristokracia e Itakës, paj dhe rioshët e përvujtë e të harbuem, nuk panë ma asfarë interesi me iu avitë asaj gruaje të shkretë. E lanë të qetë ma në fund… ama vesi i të thurunit i mbeti. E tash, njëlloj, ajo thur paprá, pa shthurun asnjë fije. Kur landa i soset, kërkon e ia sjellin leshin gratë e Itakës. Njaté, thonë, ban edhe tash, anipse ka kohë që nuk del prej shpie në dritë të diellit. Mue vetë nuk ma kanë nxanë sytë si tash 15 vjet e kusur…
I dërrmuar e i ngrysur Odiseu tundte kokën, derisa ajo iu var në parzëm e s’e ngriti më. Bëri një gjest falenderimi dhe iu kthye prapë dromit të zabelit që të nxirrte në paralagjet e qytetit, derisa shkeli sokaqet e para. Kalldrëmet qenë prishë keqas. Sa më shumë i afrohej qendrës, aq më fort sokaqet me gurë të nxjerrë i ngjanin kurrizit të një rrëshqanori prehistorik. Me sa duket, dhe plehrat mbi kalldrëme kishin vite, ashtu, të rrasta, kore-kore, që zhvoshkeshin si shtresa llaçi të tharë; të tjera, të reja, kutërbonin një duhmë të ndezur perimesh të kalbura, lëkurë bagëtish, e më fortë zorrë, plëndës e përbrenca, lëri pastaj peshqit e prishur…
Kalimtarët e asaj mesdite të përdiellur qenë të paktë. E shoqëronin të panjohurin me sy, si për t’ia qëlluar nga ka ardhë e ku po shkon, ndonëse asnjëri nuk denjoi ta pyeste. I zbrazët qe dhe sheshi i qytetit, dhe ai para pallatit. Në disa kioska të drunjta qenë vënë tabela në dialektin dorik, ku tregohej çfarë shitej: fruta, peshk i tharë, jufka, lëngje frutash dhe raki mareje, po dhe kioska ku shiteshin libra të çuditshëm papiri, pergamena në trajtë tubi. Histori të kujt rrëfenin ato vallë? Odiseu mësyu drejt e në pallatin e tij, mermerin e të cilit e kishin nxirë erërat e Jonit, me shpresë mos ndeshte njeri ta shoqëronte në ndejën e Penelopës. Nuk ndeshi frymë të gjallë. Nga dritarja e katit të dytë, mu përkarshi pallatit të tij, ngrihej në po atë stil, të zbukuruar me kolona dorike, një tjetër pallat, imitim i mbaruar me selinë e tij, veçse mermeri qe krejt i bardhë, i paoksiduar, saqë mund t’i përcaktoje dhe moshën e re disavjeçare të ndërtimit. Pallati i ri kundruall qe stolisur me shirita vishnje, gjithë dhëmbëzime katrore, thekë të artë e figura gjeometrike. I kujt të qe vallë? Mbi harkadën e hyrjes se pallatit të tij Odiseu ndeshi të njëjtën kokë gorgone, tashmë pa diamantet vezullues në retinat e syve të saj. Si duket, aristokratët makutë të Itakës ia kanë nxjerrë me majë thike prej sysh, duke i lënë surratit të Gorgonës një pamje plakaruqeje të ngordhët.
Në katin e tretë, të cilin ai e ndante me Penelopën, përveç një statuje të Athinë-Palladës, nuk të zinte syri gjë tjetër. Odiseu mori në të majtë, andej nga gjendej ndeja e të shoqes. Mbajti vesh. Nuk ndjeu asnjë pipëtimë. Aty duhet të jetë e gjora grua, – tha me vete. U mat të trokiste, por ndërroi mendje. Thjesht shtyu derën, që u hap me një gërvimë të rëndë ankestare. Pamja që u shfaq e mbërtheu në prag: pamja qe përmbytur nga dielli i mesditës që ndriçonte krejt dhomën me reflekset e ndritshme të mijëra fijeve të pezhishkave. Ato vareshin qosheve, nga tavani në dysheme. Muret e dritaret qenë dubluar në shtresa të dendura pezhishkash të tilla, ndërsa në qendër formonin rrathë të shumëfishtë, që priteshin nga drejtëza fijesh: një arkitekturë virtuoze, marramendëse.
Më në fund, nga qoshja më e largët e dhomës, rrëshqiti rrufeshëm përmes një filli të ndritshëm vetë Penelopa. Këmbkat e saj zunë të dridheshin dhe lëkura, deri atë çast e murrme në vithet e saj trajtë ovale, mori pak nga pak ngjyrë vjollcë të thellë. Në tërë dhomën fijet e pezhishkave filluan të dridhen, duke shkaktuar pak e fije një zhurmërimë tingëlluese, ndonëse të mezindjeshme, njëlloj si harpat në prekjet e para. Pezhishkat këndonin përmallshëm, ndërsa Penelopa shprehte gëzimin në mënyrën e saj, duke tundur këmbkat e vogla në rrjetën e bujshme, të cilën e kishte thurur me vite në pritje të kthimit të tij.
Edhe Odiseu ishte krejt i mallëngjyer. Me mollëzat e gishtave që i dridheshin, ai preku lehtë-lehtë e butësisht kurrizin e saj, mandej kokën e vogëlth dhe sytë shkëlqimtarë sa një majë gjilpëre, të cilët ia kishte qepur e magjepsur burrit të saj të adhuruar. Mandej pezhishkat e asaj dhome u drodhën, u ndehën e rrahën si velat e një anijeje në erë të mbarë oqeani.
Penelopa u drodh në fijen ku qe mbërthyer, u përpëlit dhe mbeti e palëvizshme. Kështu dha shpirt kjo grua e lavdishme para syve të përlotur të burrit të saj

Leave a Reply