Një aventurë e zotit Veneranda – Carlo MANZONI

Home » Kryesore » Një aventurë e zotit Veneranda – Carlo MANZONI

By elvana on May 31, 2018. No Comments

il signor veneranda

Zoti Veneranda u ndal përpara hyrjes së një pallati, vështroi dritaret e errëta dhe fërshëlleu disa herë sikur po thërriste dikë.

Në një nga dritaret e katit të tretë doli një zotëri.

“S’keni çelës, ë?”, pyeti duke thërritur zotëria, që të mund ta dëgjonin.

“Po, s’kam çelës”, bërtiti zoti Veneranda.

“Dhe dera është e mbyllur, ë?”, bërtiti përsëri zotëria i dritares.

“Po, është e mbyllur”, u përgjigj zoti Veneranda.

“Atëherë po ju hedh çelësin”.

“Përse?”, pyeti zoti Veneranda.

“Për të hapur derën”, u përgjigj zotëria i dritares.

“Në rregull”, bërtiti zoti Veneranda, “meqë doni që ta hap derën, ma hidhni çelësin”.

“Po ju nuk doni të hyni brenda?”

“Unë, jo! Ç’të bëj që të hyj?”

“Po ju nuk banoni këtu?” pyeti zotëria i dritares, që s’po kuptonte më gjë tani.

“Jo”, bërtiti zoti Veneranda.

“Po ç’ju duhet çelësi atëherë?”

“Nëse ju doni që unë të hap derën, më duhet patjetër çelësi. Derën s’mund ta hap me llullë, apo jo?”

“Unë s’dua ta hap derën”, bërtiti zotëria i dritares. “Unë kujtova se ju banonit këtu, dëgjova që fërshëllyet”.

“Pse, të gjithë ata që banojnë këtu, fërshëllejnë?” pyeti zoti Veneranda, gjithnjë me zë të lartë.

“Nëse janë pa çelës, po”, u përgjigj zotëria i dritares.

“Unë s’kam çelës”, bërtiti zoti Veneranda.

“Ç’keni që thërrisni kështu? Këtu s’të lenë as të flesh rehat!” bërtiti një zotëri që doli në një nga dritaret e katit të parë.

“Po bërtasim sepse ai zotëria është në kat të tretë, ndërsa unë në rrugë”, tha zoti Veneranda. “Po folëm me zë të ulët, nuk mund të kuptohemi me njëri-tjetrin”.

“Po ju çfarë kërkoni?”, pyeti zotëria i katit të parë.

“Pyet më mirë atë të katit të tretë se ç’kërkon”, tha zoti Veneranda, “unë ende s’po e kuptoj: në fillim donte të më hidhte çelësin për të hapur derën, pastaj nuk do më ta hapë derën dhe thotë se po të fërshëllesh duhet patjetër të banosh në këtë pallat. Pra, ende s’po kuptoj gjë. Po ju, fërshëlleni?”

“Unë?! Jo!… Përse duhet të fërshëllej?”, pyeti zotëria i katit të parë.

“Meqë banon në këtë pallat, pra”, tha zoti Veneranda, “kështu thotë zotëria i katit të parë, se ata që banojnë në këtë pallat, fërshëllejnë. Po të doni, mund të fërshëlleni”.

Zoti Veneranda bëri një përkulje me kokë dhe vazhdoi rrugën e tij, duke mërmëritur se ajo ndërtesë duhet të ishte patjetër ndonjë lloj spitali psikiatrik.

Përktheu: Alban BOBRATI

 

Leave a Reply