Këpucët – Arlinda GUMA

Home » Kryesore » Këpucët – Arlinda GUMA

By elvana on May 31, 2018. No Comments

 kepucet
Gruaja mbërrinte gjithmonë zbathur në takim.

Burri qëndronte gjithmonë me kurriz, veshur me të njëjtën xhaketë të kadifenjtë.
Ajo qëndronte disa çaste përpara tij, ndërsa ai kthehej ngadalë dhe i hidhte një nga ato vështrimet që vetëm ai dinte t’i dhuronte.
Asaj i drithërohej çdo skutë e shpirtit dhe ndjente të kishte shumë dritë përreth, por seç kishte një ndjenjë ankthi se mos ai ulte sytë dhe shikonte këmbët e saj të zbathura…
Shqetësimi i saj ishte i pavend. Burri asnjëherë nuk i ulte sytë. Ai e shihte gruan drejt e në sy, me vështrimin e ngrohtë, pa thënë asnjë fjalë…

Për çdo natë ata të dy takoheshin në ëndërr.
Çdo natë, me shputat e buta që nuk i vriteshin prej guriçkave, ajo endej rrugicave të shkreta me ecje somnaumbulje për në takimin e saj të dashurisë.
Për çdo natë takimi ishte i parë…
Nuk mbathte këpucë. Kujtohej për to vetëm kur mbërrinte përpara tij dhe frigohej si fëmijë se mos ai e vinte re këtë gjë.
Ajo ishte e aftë të ecte mbi parmakun e ballkonit të një ndërtese të lartë dhe të mos rrëzohej… Dinte ku të shkelte pa u lënduar. Dukej se një forcë misterioze e drejtonte në një jetë tjetër, paralele, krejt ndryshe nga ajo që jetonte kur ishte zgjuar.

Mëngjeseve, ajo niste përhumbur rrugëtimin e saj të përditshëm, nëpër botën me ngjyra të kursyera ku jetonte, jo për zgjedhje të saj.
Mëngjeseve i mbathte këpucët. Këpucët e saj të ngrëna, të përbaltura, me baltën e tharë të ditës së mëparshme.
I mbathte pa i pastruar më parë.
I dukeshin të lodhura këpucët e saj. Në të vërtetë këpucët ishin paksa të vjetra, por asaj më shumë i dukeshin të lodhura… Të lodhura e të rraskapitura së renduri pas ëndrrave të ditëve me diell, që asnjëherë nuk mundi t’i prekë.
E kërkonte kudo njeriun misterioz, edhe pse nuk e dinte se në ç’cep të planetit jetonte (nëse ai ekzistonte, padyshim që po, ndryshe nuk kishte si shpjegohej gjithë ajo dritë).
Ajo nuk e dinte përse ai i vinte për natë, në të njëjtën ëndërr… Shpesh pyeste veten nëse drithërohej po aq edhe ai kur e shihte të mbërrinte.
Të gjitha këto i mendonte gjatë ditës. Ditëve, ajo nuk kishte shumë për të bërë, veçse të pëshpëriste lutjen e saj të përhershme, që muzgu të binte shpejt. Nuk trishtohej për këtë. Netëve kishte gjithçka. Netët, në të kundërt nga ditët, po tregoheshin aq bujare me të.
Në mbrëmje, përpara se të binte për të fjetur (përpara se të binte në ëndërr), rregullohej për një kohë të gjatë para pasqyrës, duke lëvizur kujdesshëm krehërin e vjetër mbi flokë, pastaj mjaftonte të mbështeste pakëz kokën në jastëk e të mbyllte sytë, dhe kishte gjithë botën.

Deri atë natë, kur nuk mundi më të bjerë në gjumë…
Ajo mbyllte sytë me forcë, por gjumi refuzonte të vinte.
Zemra filloi t’i rrahë e shqetësuar… Ajo asnjëherë nuk kishte munguar në takim. Ai do të shqetësohej. Mund të mendonte se ajo nuk e donte më.
U përpëlit për një kohë të gjatë në shtrat, pastaj u ngrit, ndezi dritën, hodhi një triko krahëve dhe, duke u dridhur nga të ftohtët, doli të blejë ca kokrra valium në farmacinë më të afërt.
Nuk donte kurrsesi të vonohej në takim. Ai po e priste…
U kthye nga farmacia dhe u rregullua sërish para pasqyrës.
Edhe një herë filloi të shpërndante nëpër fytyrë kremin e saj të natës. Edhe një herë lëmoi me krehër ondet e gështenjta. Ndërroi këmishën e natës dhe veshi më të mirën që kishte.
Ngutej. Buzëqeshja e tij qiellore po e priste ta ngrohte.
Ajo i piu të gjitha kokrrat e valiumit… dhe gjumi, ashtu siç shpresonte, nuk vonoi ta nanuriste…

Në takim mbërriti duke iu marrë fryma.
Ai qëndronte me kurriz, si gjithmonë, veshur me të njëjtën xhaketë të kadifenjtë. U kthye nga ajo, me të njëjtin vështrim qiellor dhe e mori në krahë. Ai asnjëherë nuk kishte guxuar aq shumë, ai asnjëherë nuk e kishte marrë në krahë… dhe çuditërisht, për të parën herë, ajo nuk u frigua se ai do t’i shikonte këmbët e zbathura…

Mëngjesi trokiti ngadalë, ndërsa ajo nuk u zgjua të mbathte këpucët e saj të lodhura.
Nuk u zgjua më kurrë…
Somnambulve nuk u duhen këpucë për të ndjekur ëndrrat.

Marrë nga www.defekt-teknik.com 

 

 

 

 

Leave a Reply