Gjuhët e ujorëve – Veno TAUFER

Home » Kryesore » Gjuhët e ujorëve – Veno TAUFER

By elvana on May 31, 2018. No Comments

 

veno taufer

Veno Taufer – poet, eseist dhe pëkthyes – lindi në Ljubjanë në vitin 1933. Për shumë vjet Taufer punoi si gazetar i BBC-London për Ljubjanën. Pas viteve ‘80 ai dha ndihmesë të madhe në demokratizimin e të drejtave dhe lirive të individit përmes Komitetit të Drejtave të Fjalës dhe Shkrimit si i pari institucion i qendrimeve joqeveritare në Slloveni. Në vitin 1985 ai inicioi themelimin mbi një koncept të ri të Lidhjes së Shkrimtarëve Sllovenë, ndërsa në 1989 ishte bashkëthemelues i të parës Parti demokratike në Slloveni, bashkëautor i Deklaratës së Majit – dokumenti bazë i pluralizmit dhe pavarësisë së Sllovenisë nga Jugosllavia. Veno Taufer ka botuar gjer sot 15 vëllime me poezi, me të cilëve “Yje prej plumbi” – 1958, “I burgosuri i Lirisë” – 1963, “Ushtrime dhe detyrat e shtëpisë” – 1969, “Fakte” – 1972, “Libër kënge ie fjalëve të përdorura” – 1975, “Sonete” – 1979, “Copëra poemash” – 1989, “Zbatica dhe batica e heshtjes” – 1994, “Ode” – 1996 , si dhe dy libra me pjesë tetrale, tri libra me ese, dy libra me pezi për fëmijë etj. Taufer ka marrë çmime të shumtë letrarë në Festivale të ndryshëm të poezisë dhe teatrit në Grenoble, Sarajevë, Baden-Baden, Itali etj. Përkthimet e tij Eliotit, Poundit, Stevensit and Ted Hughes-it, janë pritur me me brohoritje në Slloveni. Tekstet poetike të Tauferit përcjellin që herët kalimin e gjuhës poetike në modernitet përmes shartesave prozodike, zgjerimeve strukturore dhe kërkimit të vazhdueshëm, duke e bërë këtë autor paralajmërues të modernitetit në poezinë sllovene.

 

 

Dita e shtatë

 

 

në krye ishte fjala
e kishte gojën plot me dhe
nisi të pinte gjakun me gllënjka të gjata
lulet u hapën duke nisur të shpërhapin farat

 
tani kurorat e ngrohta lulëzojnë ngado
hapim gojën ngaku shpërndahen lulet
kurora lulesh po mbyten në kopështin e lëkurës sonë
duket si funeral kudo ku na çon rrugëtimi ynë

 
kur errësira t’u ngecë luleve në fyt
shtëpitë shkëmbinjtë ujërat rrënjët
do të shtrijnë duart e tyre

 
nuk duhet të kemi frikë le t’i mbërthejmë gishtat e tyre të ngrirë
ndoshta do të ndiejmë të gjithë radhët e tyre të ngadalta kërcimtare
ndoshta do të na tregojnë emrin e tyre të vërtetë

 

 

Don Kishoti

 
kishte një kalë
prej letre të zmaltuar
me sytë e zinj
kalëronte përmes rruginave të varrezës
ndonjëherë zbriste
përpara pijetores së nikolas breunjonit
qante dhe pinte
dylqinja jetonte
në rruginën ngjitur
përmbi një pistë vallëzimi

 
një ditë
nuk ia doli
të dehej
e shkatërroi pijetoren
copëtoi vraçin e zverdhur
shpërhapi ndër erë
yllkat e bukura
duke humbur enkas
në kryqëzimet më të rrëmujshme
trishtimin e tij të zbehtë dhe atë të dylqinjës

 
çau trupin
brenda të cilit
me mundim
krijoi një farkëtari armësh
nga gjaku i kriposur dhe palca e hidhur
farkëtonte shpata e heshta
lëmoi kafkën
dhe përsipër vizatoi lule të kuqe
mes tyre simbolin e ëndërruar
dhe e kopjoi në fytyrën e plakur
si një përkrenare

 
shëtiste përballë dylqinjës shpërfillëse
duke brritur
armët e mia të shkëlqyera
janë çmuar nga ndonjë shekull i qetë

 
rrëzonte mure të verbër
çlironte shtëpi nga vargonjtë e shtriguar të pluhurit
dhe nga ngjyrat e helmatisura
shponte anijet barkoshe
që kalbeshin porteve
oh, shfarosi shumë njerëz
dhe vëllezërit e tij dhe të motrat
ishte një kalorës tmerrësisht kokëkrisur

 
lakuriq dhe i zbathur mbartte
plaçkën e përgjakur
në vendin e mrekullive
të rinisë së vet

 
mbi një shkëmb të gjelbër
me kockat e shumta
të vetat dhe të botës
ndërtoi një kështjellë të kaltër
gdhendi frëngjitë e ngushta
të syve të tij
sytë e një kalorësi të marrë
dritaret e shumta
shkëlqejnë nga drita e trëndafiltë
e gjakut të tij

 
në kullën më të lartë
përmes trupit të dylqinjës së tij
kundron yjet së lartmi
përmbi mbretërinë e tij
dhe me gjakun e dlirë të së dashurës së vet
ngjiz
lodërza metalike
për pasardhësit e tyre

 

 

 

Deti

 

përkundje e heshtjes fillim pa fillim e fund pa fund
diell i diejve që shkëlqen në syrin e vet të stërmadh
syri i syve që sheh vetëm brendinë e tij dhe përjetësisht i verbër sheh gjithçka
zë që është një dhe i përhumbur dhe nuk mund të ndihet kurrë
gur i madh si deti që vërtitet rreth vetes në pafundësi
mal në një humbellë dhe piedestal në errësirë që nuk dëgjon nga një vend në tjetrin
largësi që humbet në të gjitha largësitë e tij të vogla
ujë me pikëla të panumërta që ikin pa menduar
në fund të rrugëtimit apo në një takim çfarëdo
velë e vendosur pjerrtazi që mbulon anijen
anije që lundron vazhdimisht dhe nuk di për ku
pluskon dhe mbart ngarkesa në kosha cijatës
ndërsa barku i vet është i padukshëm poshtë velës
që përthyhet dhe rrëshket butë përsipër
errësia e plotë prej nga vijnë kumbet
e jehonave që vërtiten dhe kohë pas kohe
duken shpinat e lëmuara të guriçkave si psherëtima
kafshësh të buta që ëndërrojnë

 

 

 

Gjuhët e ujorëve

 

1

nëse vërshon uji
çfarë bën bari
rritet nëse rritet uji
çfarë bën bari
hedh rrënjë
çfarë bën uji
bota e ujët e elektricitetit

 

2

nëse vërshon elektriciteti
çfarë bën toka
zhuritet nëse zhuritet elektriciteti
çfarë bën uji
rrjedh
në pikëla të zbathura
në majat e barit

 

3

nëse vërshojnë barërat
nga zjarret e tokës
çfarë bën uji
nëse bari vrapon
buçet
nëse buçet ndihet
elektriciteti në errësirën xëx të gjithësisë
ndihet bota e ujorëve

 

4

kur vërshojmë ne elektrokokëmëdhenjtë
uji na bën të kthejmë kokat
rrjedh mes dhëmbëve
çfarë bën uji
nuk thotë asgjë
rrezaton dritë nga zgavrat tona
përmes veshëve dëgjon tokën
përmes gojës sonë
bari zgjat gjuhën

 

 

 

Peshku

 

një kolonë drite e ftohtë dhe aroma e zezë e humusit
bëj durim mbërrin uji
ki besim në përqafimin tim
në besnikërinë e gurëve të masakruar dhe të kujtimit
e ndiej se si je shkërmoqur
në heshtjen e mermertë të qiellit
je rritur nga rropullitë e mia
uji po mbërrin
me shkëlqimin e gurëve të çmuar
me dashurinë e së vërtetës së thikave të mprehta
nga pyjet e rinisë mbërrijnë pikëlat
pikojnë përmes gjembave
përmes luleve përmes duarve
dhe sytë e zbehtë të të vdekurve
mbërrin uji
tehet rrëshkasin përmes gjymtyrëve të mia
dhe gjaku im
do të shpërthejë lart
në kulmin tënd

 
do ta përthyesh
lulen e rëndë të kuqe
drejt gojës së tharë
të qiellit heshturak

 
kalimtarët e etur
do të vdesin
me erëmimin tënd
ndër flokë

 

 

Orfeu

 

kullon pranvera ndën qershisë së lulëzuar
duke mbajtur në duart engjëllore natën përmbys
këndon me zell qiellor dhe përtallje djallëzore
gratë dhe fëmijët e shohin pa zili

 

petalet bien nga balli i saj koka i buçet
sorrat presin që frytet të piqen
në grykë pështyma i mbyll zërin
mes dhëmbëve gratë dhe fëmijët ndiejnë tashmë lajthitë

 

zemra e saj është një zog grabitqar
i ulet mbi hundë dhe e sheh në sy
me firomën e krahëve i freskon djersën e vdekjes

 

zemra e saj është një zog grabitqar
i nxjerr sytë dhe i ulet mbi kafkë
në afshin mbytës kruan me kthetra i djegur për lagështi

 

 

Çfarë jep

 

çfarë jep
çfarë je
pikë gjaku

 

që në tokë
shndritshëm davaritet
në mes të shndërrimeve

 

gjithmonë tokësorë
kontakti jep tokë
gjithmonë tokë

 

është tokë tashmë kushedi se prej kur
në përgjithësi edhe shpinat e përkulura
të maleve dhe kockat e alpeve

 

mendimesh të mëdha lindje të gjata gishta
të shkurtër përgjysmë në humusin e sytheve të zotit

(Përkthyer me rastin e Festivalit I Ndërkombëtar të poezisë “Poeteka”)

Përktheu: Erion Kristo

Leave a Reply