Antropologjia strukturore

Home » Ese » Antropologjia strukturore

By elvana on May 31, 2018. No Comments

Adam Mars-Jones

Antropologjia strukturore është psikoanalizë me bazë më të gjerë se individualja. Të dyja metodat rreken të zbulojnë mbarëvajtjen e mendjes njerëzore duke analizuar prodhimet e saj të pavetëdijshme por, ndërsa psikanaliza studion modele brenda një koke të vetme, zgjuar a në gjumë, antropologjia strukturore përqendrohet në ëndrrën e përbashkët, që është sjellje rituale. Por gjithashtu, psikanaliza vetëkufizohet brenda kulturës së saj, ndërsa antropologjia operon sipas dëshirës, me një ndihmesë të largët kah objektivizmi, nëpër fise, mburoja e vetëdijshme e të cilave ofron relativisht pak kundërshtim ndaj mjeteve shkencore të antropologut. Por këta janë kufij të vetëvendosur dhe shkalla e përkimit është mjaft e zakonshme; megjithëse jetonte në Vjenë, Frojdi e ndjente veten të lirë të diskutonte mbarëvajtjen mendore të bashkëkohësit të tij, Udrou Uilson – i largët në hapësirë, të fqinjit të tij evropian Leonardo da Vinçit – i largët në kohë dhe sigurisht, Edipit – me një largësi të kosiderueshme, si në kohë, dhe në hapësirë. Në të njëjtën mënyrë, teknikat e antropologjisë strukturore, të paraprira nga Levi-Shtrausi, mund të nxjerrin në dukje atë që po tromaks kulturën tonë, nëse zbatohen me kujdes dhe plotëri.

Por të kalojmë nga paraqitja tek shembulli. Infermieret në një spital të provincës, u kujdesën kohët e fundit për një burrë i cili ishte ndëshkuar çuditshëm nga e shoqja për tradhëti bashkëshortore. Ajo ishte kthyer befas në shtëpi, kur dëgjoi të shoqin që po sillej në mënyrë jo të hijshme. Ai po kryente një akt seksual, i mërzitshëm dhe i gëzueshëm njëherësh, tipare që për do kohë kishin munguar në raportin e tij me të shoqen. Kjo e fundit, pa bërë zhurmë, doli nga shtëpia dhe u kthye në orarin e zakonshëm. Gatoi një darkë shumë të mirë, duke u kujdesur që të thërrmonte disa hape gjumi dhe i përzieu me purenë e patateve. I shoqi ra për të fjetur herët, duke thënë se ishte i lodhur; pak më vonë, ajo e zhveshi teksa ai flinte dhe, me një ngjitës, i ngjiti dorën me penisin.

Doktorët dhe infermieret u përballën me problemin e ndarjes së dorës nga gjenitalet dhe u duhej të sajonin një zgjidhje për ta ndihmuar pacientin të urinonte. Kirurgjia plastike ishte e nevojshme për të rregulluar anën e jashtme të pjesëve.

Ja tek është pra, paksa e ndohtë, paksa zbavitëse, një histori e rëndomtë, pa ndonjë përfundim të rëndësishëm në thelb. Por kjo histori është më e shpejtë se ndonjë histori tjetër me vlerat e saj, udhëton me shpejtësi të madhe dhe papritmas, bëhet e kudondodhur; ajo kënaq një nevojë papritshmërisht të thellë, madje ndokush mund të vërejë se ka ndodhur vite më parë, në një tjetër qytet. Është një mit rrjedhimisht, edhe pse ka ndodhur, dhe të bind se mund të vetëshpjegohet po të bësh pyetjen e duhur. Por muzika e tij do të mbesë e mistershme deri kur të ndeshet me mekanizmin e shkathët të antropologjisë strukturore, e cila i jep përparësi kumbimit më tepër se tingujve të thjeshtë.

 

 

Natyrë/Kulturë

Kundërvënia vendimtare, si përherë, është natyrë/kulturë. Seksualiteti është i egër, i zbutur në martesë, i quajtur “i egër” gjatë tradhëtisë bashkëshortore. Kafsha e rrezikshme është shndërruar në një zamkë shoqërore, por shkëputja ndodh sërish. Pjesët e kafshës, të reduktuara në ngjitës, nuk paralajmërojnë ndonjë ringjallje; që këtu fillon zgjedhja e gruas për mjetet e hakmarrjes së saj. Përbërja aktuale e ngjitësit në kohët moderne, shumë rrallë është organike, por e tillë është pavetëdija kolektive; ajo i referohet qëndrueshmërisë së përvojës njerëzore dhe jo të jetës së thatë “sak si jetohet”. Pavetëdija kolektive ekziston pavarësisht nga momentet kronologjike dhe nuk ecën paralelisht me zhvillimet në teknologjinë e ngjitësit. Por kjo nuk ka lidhje me shfajësimin e një mashkulli për mosnjohjen e mitologjisë greke, sipas së cilës ai gjakon vdekjen e t`et dhe trupin e nënës.

 

Butësi/Fortësi

Boshti dytësor i kundërvënies në mitin e përzgjedhur, është butësi/fortësi; burri i martuar zotohet të jetë i fortë me gruan e tij dhe i butë në të gjitha kontekstet e tjera. Impotenca në shtratin bashkëshortor dhe potenca diku tjetër, janë kërcenime simetrike për rendin shoqëror dhe brezin e ardhshëm. Por këtu, burri brinar ndëshkohet për fortësinë e tij kriminale me “më shumë”, me një fortësi që ai s`mund ta kontrollojë, anipse është mungesa e kontrollit ajo që stigmatizohet. Gruaja, e cila zbuloi të vërtetën, e dënon atë me të qeshurën e botës, duke parodizuar potencën e tij – burim i trasgresionit të tij. Megjithë ereksionin e përhershëm që ajo i shkakton të shoqit, duket që ai është impotent. Fortësia dhe butësia janë njësoj të neveritshme kur ato janë gjendje patologjike të qëndrueshme, ku nuk ka ndonjë rrugë të mesme mes tkurrjes dhe ndryshimit.

 

Ushqim/Drogë

Burri i martuar sakrifikon gëzimet dhe ndryshueshmërinë, zbavitjet dhe paparashikueshmërinë në interes të një grupi më të lartë vlerash; ai hyn në ekonominë e detyrimeve dhe kënaqësive. Ai nënshkruan një kontratë, sipas së cilës nuk do të luajë më në fushë, por do fillojë ta mbjellë atë; ky duhet t`i reduktojë zgjedhjet e tij erotike në një, para se të riprodhojë vetveten në brezin tjetër. Energjia e investuar në martesë rritet si kapital; ajo shkapërdaret në çrregull dhe shndërrohet në asgjë. Burri i martuar heq dorë nga seksi si drogë dhe e ngurtëson veten drejt një jete me ngrohtësi intime, të seksit si ushqim; që këtej e më pas, uria e tij do të plotësohet më tepër se të nxitet. Por bashkëshorti brinar e prish metabolizmin e martesës duke kërkuar vazhdimisht eksitim në vend të vetpërmbajtjes. Shumë mirë, pra : gruaja të cilës ai i përçmoi aftësinë  e kënaqjes së oreksit, do t`ia shpaguajë duke i droguar ushqimin. Ajo do t`i përdorë ilaçet në aspektin narkotik të tyre më tepër se në atë stimulues; në vend të eksitimit, ajo do t`i japë qetësi, dhe një gjendje të pashpresë në vend të një vigjilence të lartë. Për gruan, tradhëtia bashkëshortore është, ashtu si alkooli, “ një hipnotik qetësues me një stimulim paradoksal”, një ulje që ngjan si një ngritje; dhe hakmarrja e saj nevojshmërisht e dramatizon qëndrimin e vet ndaj tradhëtisë.

 

Private/Publike

Kur dy njerëz lidhen bashkë si burrë e grua dhe tashmë vetpërcaktohen si prindërit e fëmijëve të tyre, statusi i tyre i ndryshuar duhet të shenjohet nga një rit; pasi i lënë banesat e veçanta për t`u vendosur në një shtëpi të përbashkët, ata kalojnë përmidis një korridori të shenjtë, i cili pakthyeshmërisht bën të qartë ndryshimin mes të kaluarës dhe të ardhmes. Edhe pse janë individë që marrin vendime vetjake, ata duhet t`i deklarojnë ato në publik dhe, megjithëse po humbin në mënyrë drastike lidhjet me prindërit, martesa e tyre tradicionalisht është nën vëzhgimin e gjithë njerëzve nga të cilët, në të vërtetë, ata po largohen.

Edhe nëse vendosin të martohen në kishë apo me një ceremoni të thjeshtë në zyrën e gjendjes civile, veprimi i tyre s`është më pak ritual dhe, si i tillë, s`mund të lihet në harresë e të mos përmendet më.Ai duhet të mohohet; duhet gjetur një formulë e cila, simbolikisht, të përmbysë ritualin e lidhjes. Megjithëse momenti magjik ka dhënë shpirt, ajo magjepsje duhet të kthehet prapa për lehtësimin e të dy palëve.

Ne mund ta shohim këtë proçes në mitin tonë. Rituali origjinal e shtyn çiftin mes një hapësire publike solemne dhe drejt shtratit bashkëshortor; kundër-rituali fillon në po këtë shtrat, tashmë një kurth për mëkatarin dhe jo një çerdhe, dhe përjashton pjesën fajtore drejt një hapësire publike të zhveshur nga çdo solemnitet. Burrri i droguar në shtratin bashkëshortor po paguan tashmë për trasgresionin e tij; duke zgjedhur eksitimin në vend të sigurisë, duhet t`i përmbahet zgjedhjes së tij dhe ta humbasë në mënyrë absolute këtë siguri. Por shumë gjëra presin në të pritme.

Zgjedhja e gruas së tij, në kundërti simbolike me një kishë a një spital, është një punë me mjeshtëri nga ana e pavetëdijes kolektive. Ato janë përkatësisht shtëpitë e një fshehtësie që i bën ballë analizës dhe analizë që i bën ballë fshehtësisë; një errësirë sugjestive dhe një dritë e pashmangshme.

Këtu mund të shtojmë se vetëm antropologjia strukturore e shton fshehtësinë gjatë proçesit të shpjegimit të saj. Më në fund, këtu , shkenca dhe feja bashkohen dhe bëjnë paqe.

Ka gjithashtu një epërsi në lidhje më modelimin, ajo që, një burrë i cili përbuz shtratin e përzgjedhur dhe kërkon seks tjetërkund, topitet në një shtrat që nuk e ka zgjedhur; në një shtrat ku trupi analizohet dhe trajtohet klinikisht, pa më të vetmen konsideratë të çastit për përbërësin ndjenjor, të cilin ai e ka vlerësuar aq shumë.

Ai zë vend në një shtrat aseksual dhe qëndron aty si në burg, pa ndonjë mërrëdhënie të përcaktuar, duke ndarë kushtet më njerëz të përkohshëm, të cilët, tekembramja, kanë premisa për t`iu rikthyer jetëve të tyre të ndërprera. Megjithatë, ai është përpjekur të ndërthurë lirinë e veprimit me sigurinë e  vatrës dhe, në mënyrë të ashpër, i janë mohuar që të dyja.

 

Komedi/Tragjedi

Në studimin tonë për elementet e strukturës, i morëm mjaft parasysh ngjitësin, hapet e gjumit, shtratin dhe spitalin. Tani mbeten dora dhe penisi. Me bashkimin sarkastik të këtyre dy organeve, gruaja mëshon në aspektin komik më tepër se në atë tragjik të kategorisë së vet; prishjen e martesës së saj ajo e kthen në një shkak për tallje publike sesa në një pikëllim vetjak. Ajo e paraqet të shoqin të zënë me presh në duar, por ky veprim në vetvete, është ironikisht i zvogëluar; rrethanat ku ndodhet ai e fajësojnë jo për tradhëti bashkëshortore, por për vetëabuzim. Bashkimi i detyruar i dorës dhe penisit, vë bashkë ambiciet më të larta të mashkullit dhe pafuqinë tradhëtuese të tij.

(Padyshim është dora kryesore ajo që gruaja, në mënyrë shpotitëse, zgjedh për ta ngjitur; e pamundur ta mendosh gruan të zvetënojë simbolizmin duke”fyer” dorën e majtë të një djathtoshi. Kjo do të ishte fare e huaj për mprehtësinë lodhëse të një mendjeje që as i shkon ndërmend se është në punë.)

Ajo pranëvë pulqerin – një arritje e madhe e evolucionit, me këmbën e tretë, këto inde fajtore, të cilat kërcënojnë ta vidhisin Mashkullin në pellgun e padallueshmërisë. Gruaja e deklaron barbarinë bashkëshortore të padobishme dhe krimin kundrejt saj një vetëfavorizim të qartë.

Në strukturën e një kundër-rituali, gruaja ka mbrujtur një personazh, emri i të cilit është përmbushje ironike e dëshirave; ajo ka prdorur metamorfozën nga një personazh rrëfenjash në tjetrin, nga Robinjë në Shtrigë. I shoqi do ta tregojë fortësinë tjetërkund shtratit të saj?Ajo mund ta rregullojë këtë punë. Ai ngashnjen një aventurë? Ajo do përpiqet të bëjë diçka.

Me ngjitësin ajo përforcon ndarjen e tyre, me anë të fortësisë që trillon për të shoqin, ajo parodizon burrërinë e tij. Por goditja kulmore është aftësia magjike e saj të përdorë të tjerët për kryerjen e hakmarrjes; ka një mëshirë të përciptë në veprimet e saj me tubetin e ngjitësit, por kirurgët duhet të ushtrojnë aftësitë e tyre pakufizim. Mënyra me të cilën këta pjestarë të shoqërisë mund të “zbatojnë” urdhrat e gruas së tradhtuar, i jep ndëshkimit karakter jovetanak; vetë gruaja i largohet thikës, por dorëzon të shoqin te kirurgët. Ata bashkëpunojnë për poshtërimin e tij.

Në të vërtetë, thika do të përdoret për të ndrequr dëmin, por kjo nuk është e qartë për viktimën, me përjashtim të asaj gjendjeje ku fjalët shprehin dy gjëra të kundërta (krahaso Frojdin në kuptimet binare të fjalëve themeltare). Dora e pacientit bëhet njësh me penisin, doktorëve u duhet t`i ndajnë ato rishmi.

Por femrat në spital janë thelbësisht më të rëndësishme se meshkujt. Mjekët kryesisht janë meshkuj, kurse infermieret, më së tepërmi janë femra, dhe janë pikërisht infermieret ato që përbëjnë komunitetin e spitalit, parë ç`prej syrit të pacientit. Doktorët bëjnë vizitat, por infermieret thuajse jetojnë në pavijone. Dhe kështu, faza përfundimtare e ndëshkimit të “brinarit” plotësohet. Me talljen e saj femërore, gruaja përcjell të shoqin te tallja e femrave të cilat ligjërojnë rishmi shndërrrimin e femrës nga nënpunëse servile në manipulatore të dyshimtë: te femrat që e prekin pa ëmbëlti, që janë të afërta me të por që nuk u intereson, që përkujdesen pa krijuar një lidhje me burrin nën mbikqyrjen e tyre; të cilat pohojnë mërgimin e tij nga një botë ku një grua mund të merret seriozisht, dhe madje, mund të tallet para duarve të tyre.

Çfarë mbetet nga historia jonë origjinale? Sigurisht asgjë e ndohtë a e papërfillshme; këta përbërës janë përpirë nga të kundërtat e tyre. Thjeshtësia gjithashtu, ka lehtësuar kompleksin, pa e vdarur hijen e tij. Sepse, ndën sipërfaqen e historisë, ashtu si fijet e shkoqura të makaronave vegjetariane të gatuara sak, prehet pasuria kapërthyese e mitit.

                                                 Përktheu: ELVANA ZAIMI

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply