Garancia – Christine Grän

Home » Kryesore » Garancia – Christine Grän

By elvana on July 24, 2016. No Comments

bosch

Ajo ishte një grua modeste me kostum gri, flokë gështenjë, sy të kaftë, të harmonizuara  si një simfoni në minor. Me siguri që kjo grua gjatë jetës së saj  kishte marrë pak duartrokitje, mendoi avokatja, ndërsa gruaja, që ishte bashkëshortja e klientit të saj, qëndonte përpara saj. Ajo quhej Martha Bayer, lindur në Hufshmid, pesëdhjetë e pesë vjeçe, shtëpiake.

Avokatja e re dhe ambicioze nuk e kishte të lehtë të fillonte bisedën me gra të tilla si kjo. Ajo i ofroi asaj një vend dhe kafe, sepse në marrëdhëniet me të afërmit e klientëve të arrestuar duhet të kihet kujdes.

Martha Bayer dukej sikur kishte qarë. Kjo dukej qartë në sytë e saj të skuqur dhe pa tualet. Duke qëndruar e ulur me gjunjë të mbledhura, e duke shtrënguar çantën demode të dorës, ajo tha se “te gjitha ato që fliten duhet të jenë të gabuara.”

Avokatja psherëtiu, shfletoi dosjet e saj dhe tha:

“Burrin tuaj, e dashur zonja Bayer, e akuzojnë për korrupsion.”

Me sytë e saj ngjyrë sorkadheje, gruaja hodhi një vështrim që nuk tregoi mirëkuptim.

“Korrupsion” tha avokatja. “ Nga pozicioni i lartë në detyrë, burri juaj ka marrë shuma të mëdha, ose më mirë të themi, ka përfituar sende e dhurata në lidhje me dhënien e detyrave të ndërtimit. Ne mund të flasim hapur, sepse  burri i juaj më është zbërthyer mua.”

Martha Bayer shtrëngonte pëllëmbët e duarve.

“Ju lutem, më besoni, burri im është vetëm një nënpunës i dorës së dytë i zyrës së ndërtimit. Ai nuk është keqbërës. Jozefi ka qenë gjithmonë i ndershëm. Këtë e thonë të gjithë”.

“Përpara se të bëheshin shpalljet zyrtare, burri juaj ka informuar disa persona të caktuar, kështu që ata mundën t’i rregullonin ofertat e tyre në mënyrë të tillë që të dilnin në krye. Dhe kjo ka ndodhur shumë shpesh, zonja Bayer. Ndoshta burri juaj nuk ka mundur t’i vlerësonte përmasat e veprimeve te tij. Prokuroria patjetër do të ngrejë një akt-akuzë. Dhe këtu bëhet fjalë për miliona dëme që janë zbuluar.”

Martha Bayer solli ndërmend titujt e gazetave dhe lajmet, të cilat flisnin për politikanët dhe milionat. Këtë gjë ajo gati nuk e kuptoi fare. Ajo edhe tani nuk po e kuptonte. Ajo dinte vetëm që  mbi jetën e saj të rregullt e pa probleme kishte shpërthyer një katastrofë.

Jozefi, i cili gjatë tridhjetë e tre vjetëve jetë bashkëshortore, kishte ditur se çfarë duhej bërë, tashmë e kishte lënë në mëshirë të fatit. Ai që tashmë qëndronte në dhomat e paraburgimit, dikur kishte qenë gjithnjë korrekt në shtëpi, gati i mërzitshëm.

Avokatja i tha se duhej të merrte një vendim. Po çfarë vendimi se? Për çfarë mendonte ajo në të vërtetë? “Kundrejt pesëdhjetë e pesë mijë markave garanci, ne mund ta nxjerrim burrin tuaj nga arresti i paraburgimit.”

Avokatja qeshi, sikur ky të ishte një lajm i mirë. “Pesëdhjetë e pesë mijë marka?” pyeti ajo e shqetësuar, pasi asaj shuma iu duk e pabesueshme. Në llogarinë e kursimit ishin vetëm shtatëmbëdhjetë mijë marka. Ajo gjithmonë kishte kursyer duke mos shkuar as për pushime… Këto Martha Bayer ia tregoi avokates, për të provuar pafajësinë e Jozefit. Ajo gjithashtu i tha asaj se mbante gjithmonë një bllok ku llogariste shpenzimet. Ajo gjithmonë blinte sendet më të lira.

“A ç’je një shejtane e vogël ti”, mendoi avokatja. Ndoshta duhej ta parashikonte se gjatë martesës mund të mashtrohej. Nga ana tjetër, i shoqi nuk do të dëshironte aspak të merrte përsipër punët e shtëpisë.

Në fund të fundit, avokatja ishte prezantuar me klientin e saj, mendoi Martha Bayer. Ishte e vërtetë që ai ishte një tip simpatik, por asaj nuk i lejohej që të  hynte në marrëdhënie me klientët. Natyrisht ai e ndiente veten të zhveshur nga çdo ndjenjë fajësie.

“Kështu bëjnë të gjithë”, shpërthente ai, për t’u mbrojtur. Gjithashtu, ai pyeste se sa do të kushtonte, nëse ajo do të merrte përsipër rastin e tij?

Një pyetje simpatike, të cilës ajo asnjëherë nuk do t’i përgjigjej konkretisht, sepse ajo e llogariste këtë gjë në bazë të kohës që do të harxhonte.

“Nuk e keni shoqëruar asnjëherë burrin tuaj gjatë udhëtimeve, zonja Bayer?”

Martha tundi kokën. “ Po ato ishin udhëtime shërbimi”, thotë ajo. “Jozefi ishte tepër korrekt gjatë tyre.” Ne kemi udhëtuar bashkë për në Pyllin e Zi, ku banon dhe nëna e tij. A duhet që tani të shes shtëpine tonë? Unë nuk marr vesh nga  punët e letrave. Këtë gjë e ka bërë gjithnjë Jozefi.”

Avokatja i tregoi se udhëtimet luksoze nuk ishin udhëtime shërbimi. Ai i kishte dërguar asaj gjithnjë kartolina nga Florida, Parisi, New Yorku, Hong-Kongu. Dhe asaj i kishte ardhur keq që ai ishte i detyruar të bënte udhëtime aq të lodhshme. Martha e kishte të vështirë ta besonte se një pjesë e jetës së saj ishte një gënjeshtër.

Avokatja pa orën. “Është më mirë nëse do ta bisedoni me burrin tuaj çështjen  e garancisë. Unë do të kujdesem që t’ju siguroj një leje për ta takuar dhe ju pas bisedës do të më telefononi mua. Do të ishte mirë nëse kjo gjë do të na shkonte mbarë. Sido që të jetë gjyqtari, i cili ka dhënë vendimin e arrestit, nuk do ta shikonte të përshtatshme nxjerrjen e tij nga burgu, për shkak të rrezikut të fshehjes së të vërtetës.” Por megjithatë, tani ai duhet t’ju sqarojë disa hollësira,  mendoi avokatja, pasi ajo ishte ndarë me Martha Bayerin. Ajo mendoi se me paratë që ai kishte përvetësuar, përveç udhëtimeve për shërbimet e tij ilegale, ai mund të kishte hapur një llogari bankare në Luksemburg, pasi Jozef Bayer nuk ishte një tip Zyrihu. Ai mbahej si një njeri serioz dhe për udhëtimet e tij ia priste shkurt të shoqes. Me ndërgjegje nuk duhet bërë asnjë gabim, pasi edhe kur gabimet i bëjnë politikanët, të vegjëlit dënohen, i kishte thënë ai asaj.

Një i pafajshëm. Kështu hiqen të gjithë ata. Ndonjëherë avokates do t’i duhej ta varte profesionin e saj në gozhdë dhe të bënte diçka së bashku me këta njerëz.    Ajo do ta mbronte Jozef Bayerin aq mirë sa të mundej. Më e mira do të ishte që ai të pendohej dhe të paguante gjithnjë përpara gjykatës një honorar. Por ai do ta kundërshtonte këtë gjë dhe kështu do të dënohej. Në këtë mënyrë ajo nuk do ta mëshironte aspak.

Martha Bayer vizitoi burrin e saj në burg dhe dëgjonte e heshtur ankesat e tij mbi ushqimin dhe shoqërinë e keqe. Ai nuk pyeti fare se si ia kalonte ajo. A e ka bërë Jozefi ndonjëherë këtë gjë?

Ai ishte në dijeni për garancinë dhe ndërkaq i tha se i kishte dhënë  pushtet të plotë avokates për llogarinë bankare në Luksemburg. Martha duhej vetëm të shkonte aty dhe të tërhiqte paratë.

“Po a shkon kjo?”

“O zot sa budallaqe që je. Natyrisht që shkon. Po ti gjithashtu mund të bësh diçka  për mua një herë në jetën tënde. Pra, më bëj një nder dhe mos i trego asgjë nënës sime, se kjo gjë do ta shqetësonte shumë.”

Martha e dëgjoi me vëmendje dhe u nda nga ai. Ajo i telefonoi nënës së tij dhe i tregoi rreth një udhëtimi të gjatë në Azi. Pagoi llogaritë e ngutshme, të cilat iu dukën të domosdoshme. U këshillua prej avokates se si do të vepronte në bankë. Martha miratonte gjithnjë me kokë dhe bënte çfarë i thuhej, pasi ajo ishte e hutuar dhe të gjitha gjërat i ishin bërë lesh e li në kokë.

Ajo udhëtoi për në Luksemburg dhe u kthye me një valixhe plot me para. Kishte bërë tamam siç i kishte thënë avokatja. Ajo ishte një grua e mirë dhe modeste, megjithëse gjatë gjithë udhëtimit të saj të gjatë me tren, mendjen e kishte tek Jozefi dhe veprimet e tij. Në mbrëmje ajo kontrolloi tavolinën e tij të shkrimit dhe gjeti fotografi, në të cilat ai dukej krejt ndryshe nga sa i shfaqej asaj në shtëpi.

Megjithatë, ajo ishte një grua e mirë. Ajo pagoi garancinë në arkën e gjyqit me para në dorë dhe e nxori Jozefin nga burgu. I kishte sjellë atij një xhup të  ngrohtë, sepse kishte ardhur vjeshta.

Me këtë pagesë ishte pezulluar përkohësisht çështja.

Në javët që pasuan, Jozefi ndihej shumë i nervozuar. Ai fliste gjithmonë vetëm për shtetin e padrejtë dhe për nëpunësit e lartë, pasi ai në krahasim me ta nuk ishte gjë tjetër veçse një nëpunës i vogël, i cili kishte fituar shumë më pak në krahasim me ta. Martha i gatuante atij ushqim të mirë dhe e dëgjonte me vëmendje. Edhe pse ajo ishte më e heshtur se zakonisht, ai nuk e dallonte këtë gjë.

Për anullimin e urdhërit të arrestit, për lirimin e Jozefit, Marthës i ishte dashur të paguante si garanci pesëdhjetë mijë marka. Ajo i tha atij, se i duhej ta tërhiqte përsëri këtë shumë nga arka e Gjykatës.

Ajo qëndroi në këmbë përballë tij me çantën e saj demode, shtrënguar pas gjoksit dhe dëgjoi me vëmendje porositë e tij. Pastaj tha: “Por lekët më takojnë mua dhe janë paguar gjithashtu në emrin tim. A e di ti, çfarë do të bëj unë me to? Do të udhëtoj për në Fixhi. Unë kam dashur gjithnjë të shkoj aty, sepse pushimet në Pyllin e Zi tek nëna jote gjithmonë më janë dukur të frikshme.”

Fjalën e fundit ajo e tha me një ton të cilin ai asnjëherë nuk ia kishte dëgjuar.

Ajo nuk i dha atij asnjë mundësi për kundërpërgjigje. Në kohën kur Martha mbylli lehtë derën prapa tij, ai qëndroi me gojë hapur në korridorin e shtëpisë. Si do të shkojë ajo e vetme për në  Fixhi? Ajo duhet të jetë çmendur.

Telefonata e avokates së tij ia shtoi më tepër zemërimin. Ajo i konfirmoi atij se Martha në të gjitha pikat juridike kishte të drejtë. Zëri i avokates së tij tingëlloi i ftohtë, si gjithmonë, dhe ai mendoi se ajo do të gëzohej për çdo të keqe që do t’i ndodhte atij. Ah ç’femër! Gjithçka është komplotuar në fshehtësi nga të gjithë.

Ah ç’tersllëk! Në kohën kur ai do ta kishte pisk dhe do të qëndronte përsëri në burg, Martha do të pushonte nën palma në Fixhi.

 Përktheu nga gjermanishtja Ylli Bajo

 

Leave a Reply