Historia e simbolikës së ngjyrës (II)

Home » Ese » Historia e simbolikës së ngjyrës (II)

By elvana on February 4, 2016. No Comments

xColorMeanings.jpg.pagespeed.ic.3pqbc5sKBg

 

E KUQJA

Përmbyll triadën e ngjyrave “bazë” për njerëzit primitivë. Në ndryshim nga e bardha dhe e zeza, e kuqja bën pjesë tek ngjyrat kromatike dhe nga të trija është ajo që ka simbolikën më ambivalente. Sipas të dhënave të V. Ternerit, për Ndembu, e kuqja shpreh të ashtuquajturat “gjëra të kuqe”, të cilat janë të bëra nga gjaku dhe argjila e kuqe. Domethëniet simbolike të së kuqes përcaktohen nga “lloji” i gjakut:

1. Gjaku i kafshëve;
2. Gjaku i lehonës;
3. Gjaku i të gjitha femrave (gjaku menstrual);
4. Gjaku i procedurave, synetit;
5. Gjaku i vrasësit;
6. Gjaku i mëngjive dhe shtriganive (e lidhur me nekrofagjinë).

Të gjitha “gjërat e kuqe” ndahen në dy kategori, në varësi nga fakti nëse sjellin mirësi apo ligësi. Por, pavarësisht nga valenca e tyre, të gjitha “gjërat e kuqe” zotërojnë një fuqi, pa të cilën njeriu vdes dhe kjo fuqi është gjaku.

Fuqia është domethënia kryesore e së kuqes dhe me këtë shpjegohet roli i saj në cilësinë e mjetit magjik.

Për shembull, në ritualin kushtuar lindjes së një fëmije, atë e ngjyrosnin me pulla të kuqe në kokë, në organet seksuale dhe në pjesë të tjera të trupit, me qëllim që ai të rritej i shëndoshë dhe i fortë (Е. Vunderlih — 1925). Po sipas këtij autori, lyerja me të kuq e dorës para hyrjes në shpellën primitive shërbente për të trembur demonët e këqinj. Lyerja me bojë të kuqe e fytyrave të luftëtarëve, duhej t’u jepte atyre fuqinë magjike, trimërinë dhe njëkohësisht të tmerronte armiqtë. Si simbol të forcës, e kuqja përdorej dhe në cilësinë e mjeteve kundër magjive dhe mësyshit.

Njerëzit primitivë e konsideronin të kuqen si ngjyrë shëruese, të aftë për të shëruar plagët dhe për të përtërirë shëndetin. Me këtë qëllim, në pjesët e djegura të trupit vinin lecka të kuqe ose argjilë të kuqe. Gjithashtu, lyheshin me gjak ato objekte, të cilat kërkonin t’i bënin të gjalla (H.E. Kerlot — 1994).

Një rol të rëndësishëm ka luajtur ngjyra e kuqe në ritualet e pastrimit. Pjesëtarët e fisit që merrnin pjesë në procedurën e synetit, duhej që përgjatë një kohe të caktuar të mbanin në duar dhe në qafë sende me ngjyrë të kuqe.

Në kombinim me ngjyrën e bardhë, e kuqja përbën të ashtuquajturin “çift të vitalitetit jetësor”, i cili simbolizon forcat pozitive, fuqinë, nderimin, pushtetin dhe pasurinë. Në çift me të bardhën nivelohen domethëniet negative të së kuqes dhe, përkundrazi, në kombinim me të zezën, përforcohen anët negative të ngjyrës së kuqe, merr një karakter të kobshëm dhe nga pikëpamja e magjisë simbolizon forcat e këqija.

Domethëniet simbolike të së kuqes shpjegohen me lidhjen që kishin të lashtët me gjakun. E kuqja është lumi i tretë i Zotit të Epërm, ngjyra e njërit prej lëngjeve më të rëndësishme të organizmit njerëzor. Madje lidhja e të kuqes me gjakun për vetëdijen e njerëzve primitivë është më e rëndësishme se me zjarrin.

Kryesimi i të bardhës, të zezës dhe të kuqes në simbolikën e ngjyrave vërehet praktikisht në të gjitha fiset që jetojnë tash me sistemin e organizmit primitiv në Afrikë. Këto janë fiset Dogoni, Mani, Baktu, Semangi, Sakai etj. (L. Griale — 1950, V. Terner — 1983). Një tablo e ngjashme vërehet edhe në Madagaskar. Në fiset primitive të këtij ishulli, e zeza shpreh pandryshueshëm të keqen, tersin, ndërsa e bardha – gëzimin, dritën, shpresën, pastërtinë; e kuqja – forcën, energjinë, pasurinë, suksesin (A. Leib — 1946). Vizatimet e shpellave të aborigjenëve australianë janë realizuar, gjithashtu, me këto tre ngjyra. E bardha tek ata simbolizon ujin, ndërsa e kuqja – gjakun (С. Мountford — 1962). Praktikisht, domethënie të ngjashme të ngjyrave “bazë” vërehen edhe në Amerikën e Veriut te indigjenët e fisit Çiroki (Cherokee): e bardha – paqe, lumturi; e kuqja – sukses, ngadhnjim; e zeza – vdekje.

Në spektrin e ngjyrave të njerëzve primitivë ekzistojnë dhe ngjyra të tjera. Në veçanti bluja dhe e verdha. E verdha “priret” (në planin simbolik) drejt të bardhës, ndërsa bluja – drejt të zezës.

Një ngjashmëri principiale e simbolikës së ngjyrës te popujt primitivë në pjesë të ndryshme të botës na mundëson që fill pas V .Ternerit të traktojmë një triadë ngjyrash si arketip të njeriut. Për njeriun primitiv, tre ngjyrat “bazë” – nuk janë thjesht dallimet në perceptimin pamor të pjesëve të spektrit, por shkurtime apo koncentrime të domethënies së pjesëve të ndryshme të sferave të mëdha të përvojës psikobiologjike, të cilat prekin si mendjen, ashtu edhe gjithë organet e tjera të ndjenjave dhe që lidhet me marrëdhëniet parësore kolektive. Përderisa kjo përvojë ka si burim vetë natyrën e njeriut, ai rezulton  gjithpërfshirës për të gjithë njerëzit si përfaqësues të racës njerëzore. Prandaj kuptimi simbolik i triadës së ngjyrave është principialisht i ngjashëm në kultura nga më të ndryshmet.

 

1.2. Simbolika e ngjyrës në Indinë dhe Kinën e vjetër

Që në lashtësi e deri më sot, në Indi dhe Kinë ekziston një sistem i evoluimit të ngjyrave. Doktrina mbi ngjyrat konsiderohet ezoterike dhe, në një vëllimshmëri të plotë, kjo doktrinë qarkullon duke u trashëguar midis të përkushtuarve. Fragmente të veçanta përmbajnë monumentet e letërsisë filozofike e religjioze që kanë mbërritur deri në ditët tona.

Triada e ngjyrave zë një vend parësor në këto doktrina, ndërsa domethëniet simbolike të ngjyrave janë më së shumti të ngjashme me ato që theksohen në kulturat primitive.

 

india3

India

Ja se çfarë thuhet për ngjyrat në Çhandog Upanishada (sipas komentarit të Shankaraçarit): «ngjyra e kuqe (materiale) e zjarrit — është ngjyra e zjarrit të parë, ngjyra e bardhë (materiale) e zjarrit — është ngjyra e ujërave të para, ngjyra e zezë (materiale) e zjarrit — është ngjyra zanafillore e tokës. Kështu, në zjarr zhduket gjithçka që zakonisht quhet zjarr, ndryshimi (modifikimi, variacioni) është gjithëqysh një emër që lind në ligjërim dhe ka gjithësej vetëm tre ngjyra (forma) të së Vërtetës (cituar sipas V. Ternerit — 1983). Në akord me Çhandoga Upanishadën, gjithë kjo botë është trengjyrëshe (trepjesëshe). Kështu, ushqimi shpërbëhet në tri pjesë: pjesa më e rëndë, ajo më e errëta (e zeza) del jashtë; pjesa e mesme (e kuqja) shndërrohet në kurm dhe së mbrami, pjesa më e lehtë (e bardha) shndërrohet në mendim. Kjo është e vlefshme dhe në lidhje me ujin e pirë që asimilohet në organizmin e njeriut në tre pjesë: urinë (e zezë), gjak (e kuqe) dhe mendim (e bardhë).

Në një vepër tjetër filozofike Sankhjakarika të Ishvarakrishnës, tre ngjyrat “bazë” u përgjigjen tre hunave ose “fijeve të ekzistencës së botës” — sattva, raxhas dhe tamas. Huna sattva do të thotë “qenësi”, ngjyra e saj e bardhë simbolizon pastërtinë dhe paqëtimin. Huna e dytë — raxhas (e kuqja) përfaqëson në vetvete zanafillën aktive që lind karmën. Huna e tretë — tamas (e zeza) ndofta kuptohet si gjendje dërrmimi, regresi, prirje drejt alergjisë apatike.

Në këta shembuj, shihet që në Indinë e Vjetër ngjyrat “bazë” përfaqësonin forcat (kozmike) kryesore të botës, pjesë përbërëse të universit (shih. gjithashtu Mahabharata, Ramajama, etj.).

Fundamenti i fundamenteve për indianët e lashtë është dielli (Brahman, veda kryesore dhe perëndia më e epërme – nuk ka një ngjyra të përcaktuara, mund të arrihet vetëm me anë të meditacionit dhe jo në rrafshin ndjesor). Kjo perëndi përmban në vetvete të gjitha ngjyrat ose më saktë, i lind ato. Së këndejmi, ekziston nocioni i “dritës së padukshme”, “diellit të zi”, etj.

Drita dhe terri (e bardha dhe e zeza) konsideroheshin si tërësi, terri ishte tjetërqenësia e dritës. Në “Rigveda”, kjo tërësi (unitet) është shprehur kësisoj: zjarri, i kulluar dhe i ndritshëm në qiell, lëshon shirita të zinj në tokë (ose në objektin e djegur); shiu, që është i zi në qiell (në trajtën e reve të zeza të shiut), bëhet i tejdukshëm në tokë (М. Schneider — 1946).

Perënditë edhe më të ulëta sipas rangut në hierarki, kanë një ngjyrë të përcaktuar, të qëndrueshme (Маhabharata). Ngjyra e perëndisë së dashurisë është e bardha, e vdekjes (Kali) – e zeza, e perëndisë së amësisë – e kuqja, për shkak se ajo lidhet me principin e krijimit, veprimit që shprehet me ngjyrën e kuqe (H. Zimmer — 1946). Në tërësi, zotat e mirë dhe forcat e mira shenjojnë të bardhën, ndërsa të këqinjtë – të zezën ose kombinimin e të zezës me të kuqen.

Kina

Në Kinën e Vjetër, ngjyra kundrohej gjithashtu në cilësinë e simbolit të forcave dhe elementëve më të rëndësishëm. Në akord me doktrinat ezoterike, tri radhë simbolesh (nuancat e ngjyrave, elementët përbërës të natyrës, ndjenjat dhe reaksionet) dalin nga një burim i përbashkët që vepron në nivelet më të thella të realitetit (H.E. Kerlot — 1994). Në “Librin e ndryshimeve («I czin») ne gjejmë një sistem të këtillë të simbolikës së ngjyrave (shih tabelën 1.2.1.), që del nga principet e teorisë së korrespondimeve:

Таbela 1.2.1.

Ngjyra Stinët Elementi,
objekti
Drejtimet e horizontit Planetet Kafsha-
simbol

Jeshilja

Ose bluja

Pranvera Pema Lindje Jupiteri Dragoi
E kuqja Vera Zjarri Jug Marsi Feniksi
E bardha Vjeshta Metali Perëndim Venera Tigri
E zeza Dimri Uji Veri Mërkuri Breshka
dhe gjarpri
E verdha Fundi
i verës
Toka Qendër Saturni

* Sipas L. P. Siçjev dhe V. L. Siçjev (1975).

Në listën e ngjyrave “bazë” në Kinën e Lashtë, qenë shtuar bluja (e blerta) dhe e verdha. Studiuesja L. N. Mironova (1984) dëften se te kinezët e vjetër nocioni i blusë dhe të gjelbrës kanë qenë ndërsjelltësisht të zëvendësueshëm, ndërsa një ndarje të qartë në domethëniet e këtyre dy ngjyrave nuk ka pasur, sepse e blerta konsiderohej si e lindur nga bluja.

Ngjyra dhe elementi që simbolizonte ajo nuk ka qenë për kinezët e lidhur ngushtësisht me njëra-tjetrën. Tek po e njëjta fuqi mund të përfshiheshin disa simbole ngjyrash në varësi nga gjendja e kësaj fuqie apo elementi. Kështu, bluja e hapët (e kaltra) ka qenë simbol i qiellit të mesditës, ndërsa e zeza me një dozë të madhe të së kuqes (sjuanj) – simbolizonte agsholin (agun), çka nënkuptonte lindjen e dritës nga gjiri i errësirës.

Në simbolikën kineze, ngjyra shprehte statusin social: secilit grup social i korrespondonte ngjyra e tij. Për shembull, e verdha konsiderohej privilegj i shenjtë i familjes perandorake (A. Beaumont — 1949). Ngjyrat ndaheshin në «fisnike» dhe për popullin e thjeshtë, sikundërse flitet në «librin e këngëve» («Shi czin»).

Në doktrinën mbi thelbet zanafillore Jing dhe Jang është e pranishme gjithashtu simbolika e ngjyrës. Jang ka ngjyrë të bardhë (verdhë), ndërsa Jing – të zezë (blu).

Duke krahasuar përmbajtjen e simbolikave të ngjyrës ndër popujt primitivë me simbolikën e Indisë dhe Kinës së Vjetër, mund të dalim në përfundimin e e një ngjashmërie principiale, çka do të thotë se kemi të bëjmë me një unitet të rrënjëve të simbolikës ngjyrore në kulturat e ndryshme, të ndara ndërmjet vedi në kohë dhe hapësirë. Sipas V. Ternerit (1983), simbolika e ngjyrave e zanafillave botërore ka një origjinë tepër të lashtë, ndoshta para–indoeuropiane, ndërsa monumentet e mbërritura deri në ditët tona përfaqësojnë në vetvete hamendësime shumë më të vonshme filozofike mbi këtë temë.

Përktheu nga origjinali: Agron TUFA

Leave a Reply