Çfarë do të zbulosh në shpirtin tim? – Katharina Yakovina

Home » Flash » Çfarë do të zbulosh në shpirtin tim? – Katharina Yakovina

By elvana on January 26, 2016. No Comments

katharina

Poetesha dhe artistja Katharina Yakovina ka lindur në Ukrainë. Mjaft punë të saj në poezi shfaqen në Zërat Poetikë pa Kufij. Në jetëshkrimin e saj ajo shprehet: Kam lindur në 1967. Krijova një hapësirë për artin tim. Mes mundësive të mia, bëra këtë zgjedhje.

           

 Pyetje

 

Çfarë duan njerëzit të zbulojnë në planete të tjerë?

Dashuri të re, jetë të re apo vend të ri

Për luftëra të reja…

 

Po ti çfarë do të zbulosh në shpirtin tim?

Dashuri të re, jetë të re apo një vend të ri

Për ndeshje shpirtërore…

 

 

Na i fal marrëzitë tona

         

Toka ende ka mjaft bukuri

Ndaj mjaft njerëz

Mrekullohen pas saj

Borë e qetë

Lumenj të rrëmbyer

Shi i butë

Bar i gjelbër qiellor

Re të bardha…

Toka ndrit nga dashuria për njerëzit

Shirat e butë luajnë një melodi të ëndërrt

Bora e qetë fsheh hallet e njerëzve

Qielli pikturon me të bardhën e reve

Një mrekulli

Toka ka ende mjaft bukuri

Si grua e dashuruar që mund të ta falë dhimbjen…

 

 

Si dashuria jote për mua

 

Më pate dhuruar një lule mahnitëse

U përpoqa të kuptoja se ku jeton

bukuria e lules.

 

E ndava lulen në pjesë të ndryshme

Në duar mbaja petalet e verdha

Në duar mbaja dhe gjethet e gjelbëra

Po shpirtin e bukurisë nuk e pashë.

 

Era fshiu gjithçka nga tavolina

Ku pata vënë gjethet dhe petalet e verdha

Të dhimbjes

Po sekretin e bukurisë nuk e mësova dot

 

Edhe dashurinë tënde e ndava në pjesë

Thjesht për studim

Lulja e ndarë nuk ishtë më lule

Asgjëkund

Si dashuria jote për mua…

 

Shërbyeset

 

Fjalët janë si shërbyese të bindura e të padukshme

Ne këmbejmë fjalë me njëri-tjetrin

Ne shqiptojmë fjalë të nxehta zemërimi

Ne flasim edhe fjalë dashurie

 

Ndërkohë fjalët vihen në shërbim…

Të thënat tona i sendërtojnë

 

Fjalët e urrejtjes mund të sjellin një luftë

Fjalët e dashurisë mund të kthehen në bebe

Fjalët që mahnitin një fëmijë

Mund të kthehen në frymë.

 

Fjalët, këto shërbyese të bindura…

 

 

 

Ecja përgjatë rrugës së fjalëve të tua

 

Qyteti ka plot rrugë

Unë kërkoja rrugën

Plot me fjalët e tua diellore

E kujtoj atë verë

E kujtoj atë qytet

Dhe hijen e tij mbi rrugë

 

Turmë rrugësh

Rrugë të braktisura

Rrugë  që japin shpirt

Preferoj rrugët e pashkelura të fjalëve të tua

Krijuar veç për mua

Askush tjetër s’e di të fshehtën time.

 

Kam zbuluar qytete

Kam zbuluar rrugë

Shëtita midis fjalëve të tua

Fjalëve që jetonin kaq gjatë

Fjalë e tua plot diell

I di të gjitha veç thënies:

Ai ishte vlera e dashurisë!

Janë shkruar këto fjalë të reja

Nga një shi drithëronjës trishtimi

Mbi qelqen e pellgjeve

Për mua posaçërisht…

 

Përktheu nga anglishtja: Yzedin Hima

Leave a Reply