Historia e simbolikës së ngjyrës (I)

Home » Flash » Historia e simbolikës së ngjyrës (I)

By elvana on January 26, 2016. No Comments

 

colors1

Boris BAZYMA 

 

Hyrje
Shumëkush prej nesh është argëtuar në fëmijëri duke kundruar përmes qelqeve me ngjyra të ndryshme: ja një cope xhami blu – dhe bota dukej serioze, e rreptë, e trishtë; një tjetër xham me ngjyrë të verdhë dhe padashje të vjen të buzëqeshësh, gjithçka perceptohet festive, edhe nëse dita është e ngrysur. Punë e pavend, e pakuptimtë mund të mendojë ndokush?

Që nga koha e Isak Njutonit ngjyrat pothuaj e kanë humbur funksionin e tyre magjik, ritualor. Dikur ngjurat konsideroheshin thuajse të hyjnishme, por shkenca objetive ka treguar se ngjyrat janë veçse ndjesi subjective që lindin gjatë bashkëveprimit të valëve me gjatësi të ndryshme elektromagnetike mbi analizator. Kjo varet objektivisht nga karakteristikat e përthyerjes, reflektimit dhe përthithjes së valëve të dritës të atyre mjediseve dhe sipërfaqeve të objekteve, të cilat gjenden ndërmjet burimit të rrezatimit dhe syrit të njeriut, e po ashtu, në fushëpamjen e shikimit. Njeriu subjektivisht mund të mos i ndjejë ngjyrat (vërbëria e ngjyrës), ose mund t’i perceptojë të deformuara (daltonizmi). Aspektet objektive të përceptimit të ngjyrës studiohen nga fizika optike, ndërsa aspektet subjektive — nga perceptimi fiziologjik dhe psikologjik i ngjyrës.

I pëlqen apo jo dikujt një ngjyrë e caktuar, çfarë mendon vallë ai për të, çfarë asociacionesh i shkakton, kjo nuk i intereson  fizikës optike, as asj fiziologjike, e po kështu as psikologjisë së perceptimit të ngjyrës. Kjo nuk do të thotë aspak se nuk ka të tilla shkenca, për të cilat çështje të kësaj natyre nuk do të paraqisnin interes. Mirëpo për më të shumtën e tyre ata kanë një rëndësi të dorës së dytë, si etnografia, psikologjia e emocionit, teoria e ngjyrës dhe poetika e letërsisë.
Ne në punimin tonë na intereson që nëpërmjet një sistemimi të simbolikës së ngjyrave në historinë e kulturave të ndryshme, të zotërojmë një tablo të kësaj simbolike, një histori të saj, para se të operojmë me funsionin e simbolik të ngjyrave në një vepër letrare, aq më theksshëm kur kjo ka të bëjë ngushtësisht me strukturën semiologjike autoriale të poezisë.

  1. Simbolizmi i ngjyrës në historinë dhe kulturën e njeriut

Problemi i simbolizmit të ngjyrës është një nga problemet qendrore të studimit mbi marrëdhëniet mbi ngjyrën dhe psiqikën. Origjina e kuptimit të simbolit të ngjyrës, përmbajtjes së tij, marrëdhëniet ndaj një dukuria apo një tjetre dhe ngjarjeve në jetën e njerëzve, diferencimet ndërkulturore në simbolikën e ngjyrës – ja disa nga çështjet kryesore të këtij problemi.

Sasia e simboleve të ngjyrës është mjaft e kufizuar edhpse e shumtë. Më së shpeshti në këtë cilësi përdoren “ngjyrat bazë”, tek të cilat bëjnë pjesë zakonisht e bardha, e kuqja, bluja, jeshilja, e verdha dhe manushaqja. Kjo listë mund të ndryshojë në varësi të literaturës konkrete të kulturës.
Mund të veçojmë tre tipa bazë të simbolikës së ngjyrës. Ngjyra në vetvete (d.m.th., e izoluar nga format dhe ngjyrat e tjera) paraqet në vetvete tipin e parë të simbolit të ngjyrës që dallon për nga shumëkuptimësia dhe kundërvënia. Tipin e dytë të simbolizmit të ngjyrës e përbëjnë kombinimet e ngjyrave që përmbajnë dy ose më shumë ngjyra dhe që përbëjnë një tërësi simbolike, kuptimi i të cilës nuk shpihet në shumën e domethënieve të ngjyrave të marra veçmas. Kombinimi i ngjrave dhe formave përfaqësojnë një tip të tretë të simbolizmit të ngjyrës – simbolikën e formave të ngjyrës, madje dhe të fikurave abstrakte gjeometrike (rrethi, kuadrati, trekëndëshi), ashtu edhe të objekteve konkrete fizike, për shembull, simbolika e gurëve të çmuar.

Përveç formave demonstrative-ndjesore dhe vizuale të simbolit të ngjyrës, ekzistojnë dhe “metaforat gjuhësore dhe ligjërimore” të ngjyrës. Ata shfrytëzohen gjerësisht në ligjërimin e zakonshëm e sidomos letrar çka përbën një komponent të padiskutueshëm në gjuhët bashkëkohore e madje, shumica prej tyre kanë lindur jo shumë kohë më parë (për shembull, traditat letrare, vangardiste).

Simbolika e ngjyrave ka një origjinë shumë të lashtë, duke lindur në ato kohëra kur njeriu u mësua të nxjerrë dhe shfrytëzojë ngjyrat e natyrore.. Që nga ajo kohë simbolizmi i ngjyrës ka bërë një rrugëtim të gjatë. Tradita e simbolikës së ngjyrës tashmë është bjerrur, veçanërisht në vendet industriale, në të cilat mbizotëron marrëdhënia utilitare ndaj ngjyrës.

Nga momenti i lindjes së tij, simbolizmi i ngjyrës ka qenë lidhur ngushtësisht me magjinë dhe religjionin. Ngjyra është kundruar si atribut i fuqive magjike, sakrale, hyjnore dhe, në raste të veçanta, edhe si hyjnia vetë. Vetë ndarja e magjisë në të “bardhë” dhe të “zezë” dëshmon për rëndësinë e rolit të ngjyrave në ritualet e magjive. Është e vështira ta vlerësosh rolin e ngjyrave në vetëdijen religjioze të njerëzve. Siç na dëshmojnë hulumtimet historike dhe etnografike përfytyrimet mistike të njeriut dhe simbolika e ngjyrave kanë qenë të lidhura ngushtë e ndërsjelltaz.

1.1. Ngjyra dhe magjia në popujt primitivë

Në vizatimet e shkëmbinjve të popujve primitivë ndeshen më së shpeshti tre ngjyra — e bardha, e zeza dhe e kuqja, që na lejojnë të  nxjerrim përfundimin mbi rolin e veçantë të këtyre ngjyrave në jetën e njeriut të lashtë. Siç e kanë nënvizuar studiuesit e ndryshëm, mbizotërimin e këtyre ngjyrave nuk mund ta shpjegosh, për shembull, me lehtësinë e presë së tyre. Domethënia prioritare e këtyre tre ngjyrave konfirmohet nga stidimi i dokeve të popujve primitivë të bashkëkohësisë që rrojnë në Afrikë, Amerikën e Jugut, Amerikë etj. Një meritë të veçantë këtu i përket etnografit anglez V. Ternerit (1983), i cili mblodhi një material të madh faktik për “ klasifikimin e ngjyrave” ndër popujt primitivë, e veçmas, të fisit afrikan Ndembu.

Vëzhgimet e dokeve dhe ritualeve Ndembu si dhe bisedat me pjesëtarët e fisit, i krijuan mundësinë Ternerit të përshkruajë me imtësi domethëniet simbolike të tre ngjyrave “bazë” në jetën e njeriut prmitiv.

Ndembu i lidhin këto tre ngjyra me tre lumejtë (thelbet) e një Zoti që përfaqësohet përmes tyre. Domethëniet konkrete simbolike të secilës ngjyrë (lumë) lumejtë janë:

E BARDHA

1. E mira;
2. Burimi i fuqisë dhe shëndetit;
3. Pastërtia;
4. Kamja;
5. Fuqia;
6. Mungesa e dështimeve, lotëve, vdekjes;
7. Parllëku ose pushteti;
8. Takimi me frymët e të parëve;
9. Jetë, vitalitet;
10. Shtatzani ose lindje fëmije;
11. Trimëri në gjueti;
12. Bujari;
13. Përkijtim i shpirtrave të gjyshqrve;
14. Miqësi;
15. Oreks në të ngrënë;
16. Shumim, pjellori;
17. Dukshmëri për syrin (qartësi, dukë, mundësi);
18. Burrërim ose pjekuri;
19. Pastrim, larje;
20. Mungesë shpotie.

Midis domethënieve të paraqitura ne nuk ndeshim asnjë negative. Në tërësi ngjyra e bardhë për Ndembu do të thotë mirësi, begati, lumturi, progres.

Ky përgjithësim i domethënies së ngjyrës bardhë është universale për të gjith pupujt primitivë, si të lashtësisë, ashtu edhe të bashkëkohësisë. E bardha për ta është simbol i qenies, paqes dhe jetës.

Ngjyra e bardhë përdorej gjithashtu edhe në ato rituale magjike të njerëzve primitivë, të cilëve u bëhej apel në emër të forcave të mira si dhe për t’u mbrojtur nga veprimi i frymëve dhe hyjnive të këqija. Ngjyra e bardhë i joshte zotat e mirë, dhe i trembte të këqinjtë. Ndër më të rëndësishmit prej këtyre ritualeve, kanë qenë ritualet e kushtuar lindjes, inicimit, martesës dhe vdekjes.

Le të ndalemi pak më imtësisht në rolin e së bardhës në ritualet funerale. Ngjyra e bardhë për të lashtët nuk kishte domethënie negative, aq më tepër nuk ka qenë simbol vdekjeje, ngjyrë zie. Në çfarë kuptimi pra ka përdorimi i saj në një ritual të tillë? Jeta përfytyrohej nga të lashtët si serialitet lindjesh dhe vdekjesh. Pjesëtari i vdekur i fisit nuk konsiderohej si i zhdukur pa gjurmë, i tretur përfundimisht në mosqenësi. Vdekja kundrohej si një transformim, si një ndërkalim në një cilësi të re. I vdekuri, ose mishërohej sërish në një pjesëtar të lindur të fisit, ose shndërrohej në një frymë/shpirt/hyjni. Prandaj prania e së bardhës në funerale (lyerja e të vdekurit me bojë të bardhë etj) nuk bart karakter negativ, por dëften një “jetë të re” të të vdekurit të fisit.

Ngjyra e bardhë përdorej edhe si mjet mbrojtës nga mësyshi dhe mëngjia. Forcat e liga nuk mund t’i shkaktonin dëm njeriut, kafshës apo banesës, nëse ata qenë të shenjuara  me bojë të bardhë, apo nëse qenë mbështjellë me amuletë të bardhë.
white
Një rol të rëndësishëm ka luajtur e bardha dhe në ritualet e filijimeve. Zotave dhe shpirtrave të mirë përpiqeshin t’u bënin fli kafshë të bardha apo të lyera me të bardhë.

Për njerëzit primitivë – e bardha është jo vetëm një simbol i hapur ndjesor, por edhe nocion që shpreh bazat e parimeve të sjelljes moralo-etike. Kështu në një rradhë popujsh afrikanë deri më sot ekzistojnë zakonet e betimin “ për atë mushkëri!”. Nëse ai që ka bërë betimin dëshiron të nënvizojë që qëllimet e tij janë të ndershme dhe se nuk ushqen asnjfarë prapamendimesh, atëherë kasten ai thotë se “e kam të bardhë mushkërinë”. Prandaj është me vend të flasim për rolin e reglamentuar të së bardhës në sjelljen e njerëzve primitivë, si një kriter origjinal, me ndihmën e të cilit njerëzit organizonin sjelljen e tyre. Në këtë aspekt ngjyra e bardhë mund të kundrohet si një shenjë psikologjike – d.m.th., si një mjet i udhëheqjes së njeriut me funksionen dhe sjelljet e tij psiqike. Siç e tregon V. Terner (1983), Ndembu kanë nocionin e “sjelljes së bardhë”.
Cilat janë burimet e simbolikës së ngjyrës së bardhë tek njerëzit primitivë? V. Terner mendon se rrënjët e simbolikës së të bardhës (sikundërse te të gjithë ngjyrat e tjera kryesore) duhet ta kërkojmë në përvojën psikobiologjike të njeriut. Është e padyshimtë lidhja e ngjyrës së bardhë me dy prej lëngjeve më të rëndësishme (pëlhurave) organizmit njerëzor — spermës dhe qumështit, të cilat quheshin të shenjta nga njerëzit e lashtë. Ndërmendim që Ndembu e trajtojnë të bardhën në cilësinë e njërit lumë të perëndive të epërme. Lëngu pllenues dhe qumështi bëjnë pjesë në thelbin e jetës së njeriut, duke qenë nga ato zanafilla, prej të cilave njeriu primitiv vuri në hesap ekzistencën e tij dhe prandaj ngjyra e tyre mori kuptimin e begatisë, jetës, shendetit etj. Përveç kësaj, e bardha është dritë, ditë, kur njeriu është më aktiv dhe krijues se kurrë, kur ai e percepton mjedisin rrethues qartë dhe saktë. Nga pikëpamja optike, e bardha është etalon i pastërtisë, e përkundërt me kaosin dhe pisllëkun dhe prandaj shërben si model i pastërtisë mendore dhe i sjelljes. Të tilla janë burimet kryesore psikobiologjike të simbolikës së ngjyrës së bardhë, e cila na lejon të kuptojmë domethënien e saj magjike në jetën e njeriut primitiv.

E zeza

E dyta përnga rëndësia në jetën e njerëzve primitivë ka qenë ngjyra e zezë. Nëse e bardha nënkupton dritë, atëherë e zeza nënkupton terr, nëse e bardha – jetën, atëherë e zeza – vdekjen, e bardha – pastërtinë dhe regullin, e zeza – psllëkun dhe kaosin. Aq më tepër që e zeza është antipod i së bardhës. Optikisht kontrasti i së bardhës dhe së zezës është nga më të fortët; po aq janë të forta edhe kontrastet dhe domethëniet simbolike të këtyre dy ngjyrave. E bardha dhe e zeza kanë të bëjnë me simbolet duale dhe, siç e thekson H. E. Kerlot (1994), në ngjashmëri me të gjitha formulat duale kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me mitin e madh të Binjakëve. Gjymtyrët e çiftit dual (njerëzit, kafshët, bimësia etj.) kanë ngjyrë kundërvënëse çka pasqyron kundërvënien e dy botëve.

Si shembull sjellim domethëniet më simbolike të ngjyrës së zeza për fisin Ndembu (V. Terner — 1983).

1. E liga, gjërat e këqija;
2. Mungesa e suksesit, pastërtisë;
3. Vuajtja;
4. Sëmundja;
5. Shtrigania dhe mëngjia;
6. Vdekja (ndër to dhe ajo ritualore);
7. Joshja seksuale;
8. Nata, terri.

E zeza është antitezë e së bardhës, ana e përkundër e jetës. Gjithësa është më negative në jetën e njerëzve primitivë e shpreh e zeza. Forcat e liga dhe armiqësore për njeriun, sipas njeriut primitiv i ka e zeza. Në ndryshim nga “magjia e bardhë”, ‘magjia e zezë” u drejtohet forcave të së keqes dhe e shpie njeriun në vdekje dhe mallkim.

Ndër domethëniet më të rëndësishme të ngjyrës së zezë janë – mosqenësia, vdekja, kaosi, shkatërrimi. Ngjyra e zezë shfrytëzohet në ritualet e magjisë, tema e të cilave lidhet me vdekjen, fundin apo ndërprerjen e diçkaje, me ndërhyrjen në jetën e njeriut të forcave armiqësore etj. Së këndejmi bëhet i qartë roli i së zezës në ritualet e inicimit. Ngjyrosja me të zezë e shtriganëve, nënkupton ritualin e vdekjes – mbarimin e një etape të maparshme të ekzistencës.

E zeza përdorej gjithashtu edhe për mbrojtje nga mëngjia dhe mësyshi, porse kuptimi i kësaj mbrojtjeje simbolike në krahasim me të bardhën është i tjetërsojtë. Nëse ndaj së bardhës, sipas njeriut primitiv, e keqja është e papushtetshme, përdorimi i së zezës do të thotë se bartësi i saj nuk zotëron asgjë që të mund të shkaktonte zilinë apo urrejtjen. Nisur prej kësaj simbolike, të sapolindurin e lyenin me të zezë, nxinin kafshët, shtëpitë (guri i zi i themelit) etj.

black the color black facebook timeline cover pagan witchcraft falmilure black cat black fb cover photo for facebook profile status

E zeza ishte ngjyra e magjisë dhe shtriganisë. Marrëdhëniet ndaj “magëve të zinj” ishin armiqësore dhe marrëdhënie të frikës ndaj tyre. Banesat e njërëzve që dyshoheshin se bëjnë shtrigani, lyheshin me të zezë. Shprehja “ai ka mushkëri të zezë” nënkupton se ai është një njeri me nijete të këqija.

Pavarësisht se gjithçka që simbolizonte negativen  në jetën e njeriut primitiv simbolizonte të zezën, kjo ngjyrë zotëronte jo vetëm domethënie negative, por edhe pozitive, d.m.th., në ndryshim nga e bardha, ngjyra e zezë ishte një simbol ambivalent. Për shembull, ndër fiset e rajoneve të thata të Afrikës, e zeza nderohet si ngjyrë e reve të shiut, ndërsa njerëzit me ngjyrë shumë të zezë, konsiderohen shumë të bukur. Interesante është lidhja e së zezës me joshjen seksuale. Tek Ndembu e zeza konsiderohet si një ngjyrë eksituese e pasionit seksual, prandaj femrat e kësaj tribuje i lyejnë kastile me të zezë organet e tyre seksuale. Në rast të një akti seksual të suksesshëm në natën e parë të martesës në pragun e të sapomartuarve derdhin blozë të zezë.

Origjinën simbolike të së zezës duhet ta kërkojmë gjithashtu dhe në përvojën psikobiologjike të njerëzve primitivë. E zeza – është mungesa e dritës, natë, kur aktiviteti i njeriut është i ulët dhe ai nuk mund të orientohet mirë në mjedisin rrethues, bëhet i pambrojtur nga natyra dhe nga grabitqarët. E zeza është mungesa e vetëdijes, gjumë i ngjashëm me vdekjen, ngjyra e shkrumbit dhe e shkatërrimit. Lumi i zi është lumi i vdekjes dhe harrimit sipas Elena.P. Bllavatskës (1888) dhe J.G. Frazer (1911), të cilët kanë theksuar se ngjyra e zezë simbolizon tek njerëzit primitivë sferën e brendshme apo nëntokësore, Burimin e Fshehur, prej të cilit del mençuria zanafillore (e zezë, okulte apo e pavetëdijshme).

(vijon…)

Përktheu: Agron Tufa

Leave a Reply