Ernest Heminguej (1899 – 1961) – Harold Bloom

Home » Ese » Ernest Heminguej (1899 – 1961) – Harold Bloom

By elvana on January 19, 2016. No Comments

ERNEST_HEMINGWAY_MUG.IMG

Atë mëngjes’herë në liqen, i ulur në kiç me të atin që rremonte, ndjehej absolutisht i sigurtë që nuk do të vdiste kurrë.

Kështu përmbyllet “Kampi indian”, një nga tregimet që ka për protogonist Nik Adamsin – ku Niku përfaqëson Heminguejin e ri. Uilliam Hazlit, një kritik anglez i jashtëzakonshëm, ka theksuar se “asnjë djalosh i ri nuk e beson se një ditë duhet të vdesë”. Hemingueji kishte një prirje të spikatur për studimin e vdekjes; dhe ashtu si i ati, edhe ai përfundoi në vetëvrasje.

Zakonisht, Heminguejin e ndërmendim për atë sjellje dhe stil që ai e ka shfaqur sa në prozë, aq dhe në jetën e tij. Njësoj si Bajroni, Uitmani dhe Uajlldi, edhe Hemingueji tashmë ka marrë tiparet e një personazhi mitik. Kush lexon romanet e tij të fundit, gjen aty një habi estetike në mënyrën, thellësisht të vetëdijshme, me të cilën ai ndërton mitet. Tregimet e tij të shkurtra, pikërisht falë shkurtësisë së tyre, del se janë mveshur me një koracë ndaj antiparodive të pavullnetshme të Heminguejit, të cilat dëmtojnë “Përtej lumit nëpër pemë” dhe “Plaku dhe Deti” – roman ky i fundit që gëzon një popullaritet më të madh se vlera reale.

Hemingueji shikonte tek Mark Tuejni paraardhësin e vet amerikan dhe tek Xhozef Konradi paraprijësin e vet më të largët. Thuajse të gjithë shkrimtarët amerikanë që kanë jetuar pas Heminguejit, në njëfarë mënyre, kanë qenë të ndikuar prej tij dhe herë-herë kjo ka qenë për ta një burim ankthi. Në sjelljen e vet, ku mbizotëronte ana sentimentale e karakterit të tij, kishte një paqëndrueshmëri të vazhdueshme, por megjithëkëtë, ai mbetet i vetmi mjeshtër amerikan kur bëhet fjalë për tregimet e shkurtra, për çka meriton të bëjë pjesë në atë panteon që ka mirëpritur figura të tilla si Turgenjevi, Çehovi dhe Xhejms Xhojsi.

 

***

 

Njësoj si Lord Bajroni dhe Oskar Uajlldi, edhe Hemingueji është më shumë i njohur për jetën dhe personalitetin se sa për veprat e tij letrare. Duke u shprehur kështu, rrezikojmë të nënvleftësojmë vepra të tilla si “Don Zhuani”, “Rëndësia e të qenit serioz” dhe një dyzinë tjetër tregimesh të shkurtra; por ama askush nuk ka qëllim të mohojë karizmën e këtyre autorëve. Tek e fundit, edhe vetë Gëte përbën një shembull më të madh se si gjenia e personalitetit mund të eklipsojë (në rastin e tij) edhe rezultate të pallogaritshme në fushën letrare. Teksti që në këtë rast do të marr në shqyrtim është “Dhe dielli lind përsëri” (1926), vlera e të cilit nuk  është e njëjtë me tregimet më të mira të Heminguejit; kështu që ndodhemi përpara një dileme, domethënë që, ajo që na duket përherë antikuariat i kësaj periudhe historike, pashmangshëm shfaqet në mënyrë më pak të rëndësishme nëse krahasohet me vepra të tilla si “Damka e turpit” (Hothorn), ‘Mobi Dik” (Melvil) dhe “Aventurat e Hakëlberri Finit”. Megjithatë, ky është romani më i pranueshëm për të ilustruar disa ide tonat, sepse vetëm në këtë roman Hemingueji arrin të na shpërfaqë në mënyrë domethënëse, të paktën në disa episode, gjeninë e vet, nëpërmjet aftësisë së tij për të krijuar një stil të ri dhe një formë të re proze. Hemingueji pohon se ka marrë vetë si model “Aventurat e Hakëlberri Finit” dhe mes paraardhësve të vet amerikanë, përmend edhe emrat e Stifen Krejnit dhe Henri Xhejmsit. Ai e njihte Xhozef Konradin, i cili ishte paraardhësi i vet kryesor, njësoj siç qe dhe për Skot Ficxheraldin dhe Folknerin. Raporti midis Heminguejit dhe Konradit qe tepër i hollë: në modelin e vet të heroizmit, Hemingueji risheh atë të Konradit, por ama pa mundur ta refuzojë. Nuk e kam të lehtë të pranëvë romanet e Heminguejit me ato të Konradit: “Agjenti sekret”, “Nën vështrimin e Perëndimit”, “Fitorja”, “Kapiteni i anijes” – në planin estetik, përfaqësojnë rezultate që i kalojnë ato të arritura nga Hemingueji. Autori i “Për kë bien kambanat” kishte përparësinë se kishte për rival të vetin Leon Tolstojin. Por kjo nuk qe një zgjedhje dhe aq e lumtur; të paktën Konradi do të kishte qenë në nivelin e pranueshëm të Heminguejit.

“Dhe dielli lind përsëri”, botuar në tetor të vitit 1926, na ofron një shembull të përsosur se si mund të ndikojnë veprat në jetë më shumë se sa e anasjellta. Njësoj si Lord Bajroni pas udhëtimeve të Çajld Haroldit, Hemingueji u zgjua i famshëm: tashmë ishte përfaqësuesi karizmatik i brezit të humbur, i lidhur përgjithmonë me episodin e dëbimit nga Parisi dhe Madridi në vitet ’20. Bret Ashli u bë një arketip për vajzat e paqeta të pajisura me një forcë të thellë shkatërruese; dhe Hemingueji nga ana e vet, u bë Heminguej, me bindjen se vetëm toreadorët, boksierët dhe ata që shkojnë pas lojërave të rrezikshme, mund të arrijnë ta jetojnë jetën në maksimum.

Askush nuk dyshon në rëndësinë e romanit “Dhe dielli lind përsëri” në lidhje me historinë e letërsisë dhe kulturës në përgjithësi. Ndërsa leximet dhe interpretimet e ndryshme të romanit kanë të bëjnë me një tjetër problem, me atë të gjenisë së Heminguejit, e cila shfaqet në mënyrë veçanërisht të fortë, pikërisht në tregimet që donte më shumë: “Lumturia e shkurtër e Frensis Mekomberit”, “Në një vend të huaj”, “Kodrat si elefantë të bardhë”, “Dëborat e Kilimanxharos”, “Siç nuk do të jesh kurrë”,  “Një vend i pastër dhe i ndriçuar mirë” dhe “Drita e botës”. Këtyre shtatë tregimeve do t’u shtoja pastaj edhe tregimet “Fundi i diçkaje”, “Metamorfozë detare”; natyrisht, lexues të tjerë do të bënin zgjedhje të ndryshme. Kur vihesh dhe i rilexon këto tregime pas disa vitesh, të bëjnë përshtypje edhe më fort; janë vepra model, qoftë përsa i përket stilit, qoftë dhe për ngarkesën e përfytyrimit që i dallon.

Të lexosh “Dhe dielli lind përsëri” është një përvojë edhe më e ndërlikuar: ai duket se mbërrin një ekuilibër të brishtë vetëm aty nga fundi. Ndoshta vepra ka patur një mungesë ekuilibri që kur është konceptuar, ndërsa tashmë, paraqet në vetvete një copë antikuari. Një karakteristikë e gjenisë letrare është që veprat e tij qendrore nuk janë bërë kurrë copë antikuari; dhe në fakt, tregimet më të mira të Heminguejit, megjithë paroditë dhe autoparoditë e tyre, nuk janë bërë të tilla. E ndjej se po shkoj pak si thellë në digresion mbi këto copat e antikuariatit: edhe pse e kam fort mirë parasysh që Suifti na paralajmëron mbi rreziqet e digresioneve, besoj se një libër mbi gjenitë e letërsisë nuk mund të përjashtohet nga një meditim mbi këto vlera antikuariati, edhe pse bëhet fjalë për një çështje të dhimbshme dhe për një vexata quaestio, sidomos në këto kohë kur një sasi e madhe pjesësh antikuariati (ose të paktën vepra që sipas meje janë të tilla) kanonizohet nga mediat dhe nga universitetet (ose për të qenë më të saktë – nga universitetet-e-mediave). Një periudhë, në kuptimin që na intereson këtu, është një hapësirë kohe që karakterizohet nga mbizotërimi i një kulture të caktuar, nga një ideologji ose nga një teknologji: dhe duke thënë këtë, po marr përkufizimin e dytë që gjendet në American Heritage Dictionary of the English Language (botim i katërt, 2000). Në një kontekst letrar, një copë antikuariati (ose një vepër e lidhur me një periudhë të veçantë historike, aq sa mund ta identifikojmë edhe si vepër të asaj periudhe), nuk është diçka që në vlerën e vet estetike dhe intelektuale del jashtë sinoreve të kohës, por përkundrazi, është diçka që thjesht mjaftohet të reflektojë një moment të veçantë historik (ose një anë të tij), që karakterizohet nga mbizotërimi i një ideologjie të caktuar. Padyshim veprat e gjenive arrijnë ta kapërcejnë kohën duke reflektuar gjithsesi edhe epokën në të cilën janë krijuar: kështu që, nëse doni, mund të shikoni tek Hamleti një kuadër të Londrës së vitit 1601; por sigurisht që nuk keni aspak nevojë t’i drejtoheni Hamletit për të parë këtë kuadër, meqë keni përplot alternativa të mundshme.

Ajo që ka perënduar pa asnjë pikë dyshimi tek “Dhe dielli lind përsëri” është figura e ledi Bret Ashlit: ndoshta mund të ketë qenë edhe një Grua e Re në vitin 1926, por sot është vetëm një nga shumë personazhet shkatërrues të vetvetes dhe të të tjerëve. Përkundrazi, ajo që nuk është tejkaluar, sado paradoksale të duket, është periudha për të cilën bëhet fjalë në këtë vepër, e cila e ka humbur aktualitetin e vet. Parisi në gjysmën e parë të viteve ’20, megjithë forcën e vet estetike, është një nga qendrat kryesore të asaj lëvizjeje perëndimore që u quajt “modernizëm”. Pikaso, Stravinski, Prusti dhe Xhojsi përbëjnë një kuartet të pashoq në panoramën kulturore të shek. XX, edhe pse Gertrudë Shtejn (njësoj si Ezra Paund pak më parë se ajo), shërbeu për Heminguejin si katalizatori më i rëndësishëm. Megjithëse “Dhe dielli lind përsëri” ka një përmasë autobiografike, Hemingueji u përpoq shumë ta çlironte romanin e tij të parë nga ndikimi i përvojave të veta personale. Xhek Barns, i cili në roman mban vendin e Heminguejit, nuk është i martuar; Hadli, gruaja e shkrimtarit, nuk duket në asnjë rrethanë në brendësi të veprës.

Nëse sot Bret është në një farë mënyre një pjesë antikuariati, çfarë duhet të themi atëherë për Xhek Barnsin? Është pikërisht ai shpëtimtari i romanit, të paktën me aq sa është e mundur. Për t’ua bërë më të qartë: provoni të rilexoni “Dhe dielli lind përsëri”, pasi të keni rilexuar “Uliksin” e Xhojsit. Hemingueji nuk arrin ta ndryshojë mënyrën tonë të leximit, arrin të ngrejë vetëdijen tonë të stilit dhe ndjeshmërisë, por nuk ndryshon aspak marrëdhënien tonë me ligjërimin në përgjithësi.

Te Hemingueji gjejmë shembullin e parë të një fenomeni që në Amerikë ndeshet shpesh: të shkrimtarit të vogël me një stil të madh. Një gjeni të ndjeshmërisë, i cili nuk arrin t’u japë një brendësi të thellë personazheve të vet, është më i prerë për tregimet e shkurtra, ku intensiteti lirik mund të plotësojë mungesat në planin dramatik. “Dhe dielli lind përsëri” fiton shumë kur e lexojmë si një elegji tërësisht personale. Kjo nuk do të thotë që ta bësh Xhek Barnsin/Heminguejin një Uollt Uitman; megjithatë, ka ende diç uitmaniane në sjelljen dhe në stilin e Heminguejit: dëshira për të thënë atë që nuk mund të thuhet, tonet biblikë të përdorur edhe atëherë kur nuk ka asnjë aluzion të rëndësishëm për t’u bërë. I referohem një stili në të cilin Hemingueji, bashkë me të edhe Uitmani, vënë në funksion parataksat (pranërenditjet), një strukturë gjuhësore, në të cilën nuk ka dallime të rendit hierarkik midis frazave të ndryshme. Kjo i jep shkrimit tonin e heqjes dorë nga çdo formë afeksioni, ndërkohë që, në të vërtetë, afeksioni është vetë vlera e kësaj heqjeje dorë.

Gjenia e Ernest Heminguejit qëndron kryesisht në tregimet e tij të shkurtra, disa nga të cilët, siç ishte “Zoti ju ruajttë të hareshëm, zotërinjtë e mi” dhe “Drita e Botës”, duket se prekin kufijtë e artit. Te Hemingueji kishte një daimon; por bëhej fjalë për një shpirt lirik dhe kështu ka gjasa që, kur tregimet shkonin tepër gjatë, ky shpirt lirik dukej sikur largohej prej tyre.

 

Përktheu: Elvana ZAIMI

 

 

Leave a Reply