Agron TUFA – Tualeti si njësia matëse e civilizimit

Home » Ese » Agron TUFA – Tualeti si njësia matëse e civilizimit

By elvana on January 25, 2016. No Comments

behind-the-scenes-daughter-jack-nicholson-kubrick-stanley-kubrick-the-shining-Favim.com-68189

(Mbi një tipar të filmave të Stenli Kubrik-ut)

 

Në çdo film të Kubrikut do të gjenden patjetër një ose disa skena me vaskë ose tualet. Kjo veçori që shtegton nga njëri film tek tjetri, nuk ka si të jetë e rastësishme.

Në filmin “Spartaku” tema e vaskës shfaqet dy herë. Në rastin e parë – gjatë bisedës së Krasit me skllavin Antonin, ku Krasi i bën me dije se në shijen e tij “hyjnë edhe midhjet dhe kërmijtë”, duke nënkuptuar më këtë “dhe të lartën, dhe të ulëtën”. Në rastin e dytë kemi bisedën e Krasit, Cezarit dhe Grakut, që bëhet në banjat romake. Kjo skënë mbyll “anën e errët”, të prapmen e marrëdhënieve dhe ushtrimin e pushtetit të aristokracisë romake dhe është në kundërvënie të plotë me skenën në senat, e cila dëften «anën e ndritshme». Banjat përforcohen me personazhin e Krasit, i cili është më shumë personash “kubrikjan”, se sa heroi kryesor Spartaku, që është më shumë – “dugllasjan”.

Në filmin «Lolita» Sharlota, duke i treguar Humbertit shtëpinë, e shpie atë në dhomën e banjës dhe i thotë se «ende këto tubacione të vjetra e të sigurta, duhet t’i pëlqejnë një europiani», – dhe fill mandej lëshon ujin në unitas. Kësisoj ajo aludon para Humbertit se është ende ithtare e modës së vjetër dhe se është e gatshme të pranojë kortetë e tij. Pastaj shtrirë në vaskë, Humberti do të presë shoferin e makinës që shtypi Sharlotën, kur ai vjen t’i propozojë shpenzimet e varrimit.

Në filmin «Doktor Strejnxhlav-i» gjithashtu tualeti figuron dy herë. Herën e parë, kur gjeneralit Bak Tarxhedson i telefonojnë për t’i dhënë lajmin më të rëndësishëm të jetës së tij, ndërkaq që ai gjendet në tualet – ja se çfarë ilustrimi i dualizmit. Gjenerali, sipas shprehjes së sekretares-dashnore, «është ulë në uturak» dhe nuk mund ta marrë mesazhin, që planeti do të hidhet në erë nga çasti në çast. Në rastin e dytë kemi skenën kur në tualet vetëvritet gjenerali Patroshiling (Jack the Ripper).

Në filmin «Odiseja kozmike» heroi studion “Rregullat e përdorimit të tualetit në gjendjen e papeshë».

Në “Portokallja mekanike” Aleksi është shtrirë në vaskë dhe këndon një këngë dhe i zoti i shtëpisë e njeh për zëri.

Në “Shkëlqimi” dhoma e banjës shfaqet dy herë. Herën e parë kemi skenën me vizionet parapsikologjike të Denit. Në të dytën – skenën e vegimit të Xhekut kur sheh gruan-fantazmë, e cila ngrihet nga vaska.

Në «Barri Lindon» personazhi vjen t’i shpjegohet së shoqes, ndërkohë që ajo po shtrihet në vaskë.

Në « Full Metal Jacket» kemi një tualet me dy rradhë të gjata unitazesh pa ndarje ndërmjet sosh – imazh i shoqërisë industriale, sikundër e imagjinonte From-i – do të bëhet vendi ritualor i vrasjeve. Në fillim këtë vend e pastrojnë për një kohë të gjatë, e sjellin në gjendje ideale, që pataj ta lajnë në gjak.

Dhe, së mbrami, në «Me sy gjerësisht të mbyllur» në ndeshemi tre herë me banjën. Në fillim kur heroi bëhet gati për në pritje, Elis e përdor tualetin në prani të burrit. Pastaj në dhomën e banjës së Viktorit, Bill-i sjell në vete Mend-in, i shpëton jetën, nder të cilin ajo ia kthen më vonë. Herën e tretë vaska gjendet në kuzhinën e prostitutës Domino dhe Bill-i është ulur në zgrip të saj, duke diskutuar me të llojin e seksit që do të bëjnë dhe çmimin.

Të gjitha banjat që përmendëm më sipër, kanë të gjitha një cilësi të përbashkët – ato janë luksoze. Përjashtim të vetëm bën tualeti i përbashkët në “Full Metal Jacket”, por dhe aty mungesa e performancës elegante kompensohet me përsosurinë gjeometrike dhe mbajtjen e një pastërtie ideale – të atillë, sa që “Virgjëresha Mari të hujë e të lehtësohet » (e zbuta pakëz këtë frazë), çka na lejon të mos e përjshtojmë nga rregulli me tualetet e tjera. Po ashtu nuk dimë gjë mbi estetikën e tualetit në “Doktor Strejnxhlav”, ngase Kubrik-u nuk na e tregon. Por apogjeun e vet të luksozitetit Kubrik e demonstron në filmin “Me sy gjerësisht të mbyllur”, ku dhoma e madhe e banjës shndërrohet në një dhomë luksoze me divane dhe piktura.

Banjot tek Kubriku kanë një funksion multisimbolik – ato janë më së pari portrete (apo, më saktë, natyrmorte) të civilizimit, që përpiqen të maskojnë me luksozitet mëkatin. Madje është pikërisht nevojtorja ajo që shfaqet si njësia matëse e civilizimit – arkeologët e quajnë një ngulim qytet, vetëm nëse në gërmimet e tyre zbulojnë kanalizimet.

Rregullat e përdorimit të tualetit në “Odiseja kozmike” – është ilustrim i asaj, që civilizimi nuk i zgjidh problemet thelbësore të njerëzimit, por vetëm sa ndryshon formën e tyre. Madje dhe fluturimi drejt Jupiterit – është një mision ku e ku më i realizueshëm, se sa zgjidhja e problemeve fiziologjike.

Banja – është vendi ku shfaqet e pavetëdijshmja. Jo mëkot pikërisht në banjo është e pranishme pasqyra, simbol i botës së përmatanshme, diç metafizike apo e subkoshiente – Jungu i quan këto nocione ndërsjelltësisht të zëvendësueshme. Në “Portokallja mekanike” Aleksi, teksa rri shtrirë në vaskë, del i zmadhuar në pasqyrë me përmasat e krejt murit. Faktikisht në dhomën e banjos ndodhen dy Aleksa – ai vetë dhe sohia e tij e pavetëdijshme. Mund të thuash se kjo nuk është e vetëdijshmja e Aleksit, krejt i përdhunuar nga shoqëria në këtë skenë të filmit, porse sozia e tij aspak e ndryshuar (e pavetëdijshmja) që këndon këngën, me të cilën e identifikon atë shkrimtari. Ky interpretim vlen dhe për “Shkëlqimi” (The Shining), ku heronjtë vështrohen në pasqyrë, prej nga reflektohet metafizikja apo e pavetëdijshmja, e cila shprehet me mundësi mbinatyrore tek Deni dhe me çmendurinë e përmatanshme te Xheku. Humbert Humberti tërhiqet në banjo me subkoshiencën e tij, që të mbajë ditarin, duke u lëshuar në ëndërrime për Lolitën.

kubrick-myths

Kështu pra, dhoma e banjës për Kubrikun na del njëherë e përgjithmonë një imazh i gjetur i dualizmit, shenjë e fiziologjisë, shenjë e mëkatit zanafillor dhe petkut të ndyrë të lëkurës, të cilit ai i kthehet vazhdimisht.

Tualeti gjithashtu, i lidhur drejtpërdrejtë me ekskrementet, na del si vendi i Hoarding -anal character (term i Frojdit) apo karakterit nekrofil (term i Fromit), i cili është i lidhur me mizorinë, dhunën dhe pasionin për shkatërrim – tema kryesore e Kubrikut. Luksoziteti dhe dimensionet e tuletit – janë shenjë e kësaj prirjeje individuale në shoqëri.

Padyshim, që salltaneti i nevojtoreve është edhe shenjë e civilizimit indrustial, i cili ia ndryshoi trajtën shfaqjes së karakterit nekrofil: «Tani simbole të vdekësirave janë jo kufomat kutërbuese dhe as ekskrementet – në këtë rol qysh tani kanë hyrë ekranët xixëlluese të automatëve, ndërsa njerëzit nuk i torturon më tundimi për nevojtoret kutërbuese, por pasioni konstruktet vezulluese prej alumini, çeliku dhe qelqi “[2]. Dhe banjat luksoze janë ai vend ku mund të vëzhgosh direkt likuidimin e dashurisë para ekskrementeve, të zëvendësuara në synimin e pastërtisë ideale (frika klinike e amerikanëve ndaj mikrobeve) dhe dashuria për tubat dhe rubinetat metalikë që shkelqejnë.

Me që ea fjala, ndaj banjove ka qenë krejt jo indiferent dhe një tjetër filozof – Endi Uorholl. Në “Filozofia e e Endi Uorholl-it” ai përshkruan maninë e tij për të dhomat e huaja të tualetit. Uorholl vëzhgonte në banjo njeriun, ndërsa Stenli Kubrik – njerëzimin. Ja ndryshimi.

[1] Ligjëratë e mbajtur në Qendrën Kinematografike “Marubi”, me rastin e 80-vjetorit të Stenli Kubrik-ut

[2]Erih From: “Anatomia e destruktivitetit njerëzor”.

 

Leave a Reply