Supa – Armond Kikino
Supa nuk do shumë nga elementët e natyrës që të jetë e mirë,
Por të merr shumë nga shpirti që të të shijojë
Pjata ime e supës nuk është normale. Ajo është shumë e madhe, tepër e bardhë, pa lule e zbukurime të tjera.
Buzët e saj janë të punuara hollë dhe me një reliev porcelani. Në të nuk arrin të dallosh dot as atë rrethin e hollë, që zakonisht tregon se sa duhet mbushur kjo pjatë.
Në dhomën e ngrënies jam vetëm unë, unë dhe Edmond Dantes. Edhe ai ka një pjatë, por jo si e imja.
Pjata e tij është prej metali, e shtrembëruar nga koha, por e pathyeshme. Supa ime është e mrekullueshme. Ka pamje të bukur, aromë të këndshme dhe të kënaq me shijen e saj.
Në të ka disa lloje të ndryshme perimesh.
Aty gjen karrota, patate, kunguj, bizele e majdanoz.
Supa ime ka një tejpamësi të pashoqe. Në lëngun e saj të kthjellët, në të cilin dallohen qartë të gjitha ngjyrat e ylberit, prehen të qeta perimet.
Të prera në formë të rregullt, ato të hedhin me forcë në rrymat kubiste, sa të detyrojnë të fusësh lugën e t’i lëvizësh, t’i lëvizësh për t’i nxjerrë nga gjendja e vdekjes fizike dhe t’i çosh lart në jetën ngjyrë portokalli.
T’i lëviz me lugë?!
T’i nxjerr nga qetësia e tyre?!
Ta turbulloj lëngun e kthjellët të supës sime?!
Ku është luga ime?!
Po ai, Edmond Dantes, ka lugë?!
Dera e drunjtë e burgut të tij kërciti fort.
- Afroje atë pjatë të ndyrë në do të hash! – i thirrën që prapa derës dhe, nga e çara poshtë saj doli një garuzhde e pistë që kullonte dhe hodhi në pjatën e metaltë supën e Edmond Dantes.
Pa të shoh ç’i kanë hedhur!
Të dy shihnim pjatën e tij dhe mundoheshim të kuptonim ç’ishte ai lëng me ato copa brenda.
Furtuna e hedhjes në pjatë u qetësua, por lëngu i Edmond Dantes nuk u kthjellua si lëngu im.
Copat e tij ishin prerë keq dhe me nxitim në forma të pakuptimta.
Ngjyra gri e ndyrë të linte pa mend dhe ta sillte stomakun në grykë.
E shihnim të dy dhe prisnim të qartësohej fare, të kthjellohej deri në tejpamje.
Supa ime mbi tavolinë nuk lëvizte, nuk përpëlitej të ulte llumrat e turbullta nëpër të.
Supa e Edmond Dantes lëkundej nga dridhjet e duarve të tij.
Në çdo çast ulërinte për qetësi, por Edmond Dantesi nuk kishte fuqi të mos dridhej, donte ta përpinte të gjithë ashtu të turbullt pa ngjyrë, pa erë, pa shije.
I lodhur nga pritja, ai nxitoi ta rrufiste menjëherë, por ajo lëngjyrë e kishte të vështirë të hynte e tëra në gojën e fshehur pas qimeve të mjekrrës së gjatë, që u bë shtrati ku do të rridhte ujvara e supës së turbullt dhe pa formës.
O Zot. Luga ime!
Ku është luga ime?
Pse nuk është në tavolinën time, aty ku duhet të jetë?
Pse?
Jo, jo, mjekrra ime nuk duhet të rritet kaq shpejt!
Jo, nuk mund të bëhem Dantes!
Jo, nuk duhet të lëvizin karrotat, patatet, perimet e tjera!
Nuk duhet që llumi në fund të supës sime, të turbullojë lëngun e kthjellët të saj! Jo, nuk duhet të dridhem!
Nuk mund ta pi supën me pjatë, nuk mund të bëhem pis!
Të bëj pis tavolinën?! Jo.
Ti i keqi, Edmond Dantes, ku e çove mjekrrën e zhyer me supën tënde?
Ku i gjete rrobat e mia të reja?
Ti je i dënuar, unë jo.
Pse të vuaj unë dënimin tënd?
Përse të ha supën time me pjatën tënde prej metali të shformuar?
Pse të rrufis supën në furtunë, aq sa kur ta çoj poshtë, furtuna të më pushtojë edhe mua?
Do të lëvizë e tërë qenia ime, do të turbullohet, do të vritet, torturohet?
Do të desha të vjell, por nuk do të mundem, duhet ta mbaj se duhet të jetoj që një ditë të rikthej ty, Edmond Dantes, këtu ku jam unë. Aty ku më çove ti.
Pjata ime është metalike, supa ngjyrë gri të qelbur, ti Edmond Dantes je ulur në karriken time, para supës sime dhe në tavolinën time, por edhe ti je pa lugë, se unë e lashë vendin tim pa lugë. Kur të vij aty, nuk do ta marr supën, por do të kërkoj lugën, thikën, pirunin, patatet e paqëruara, karrotat dhe perimet e tjera. Supën time do ta bëj vetë dhe askush nuk do të guxojë ta prekë ose ta hajë. Të gjithë do të lëvizin dhe do t’i bëjnë vend Kontit të Monte Kristos dhe do të lenë bosh vendin e Edmond Dantes.

Shkarkoni ne formatin PDF