Miti dhe Uni: Letërsia si habi estetike – Granit Zela

Home » Ese » Miti dhe Uni: Letërsia si habi estetike – Granit Zela

By elvana on June 9, 2012. No Comments

 

Kërkohet vdekja e autorit. Por autori është i prirur gjithmonë të mos bindet, përkundrazi, reagon, kërcënon, sulmon, bëhet i dhunshëm dhe e gjithë kjo me praninë e tij. Mosqenia në kësi rastesh qartëson shumëçka, na bën të këqyrim kthjellët atë që duhet të jetë gjithmonë, veprën, po pikërisht meqenëse ai është subjekti dhe vepra objekti autori tregohet subjektiv duke u rrekur gjithmonë të nxjerrë në plan të parë veten dhe të lërë në plan të dytë veprën. Uni i tij është torturues, një lloj demoni po aq i pakuptimtë sa cytësi i krijimit porse tash ai i kapërcen kufijtë duke dashur të krijojë diçka tjetër, mbase atë që ka dashur të bëj gjithmonë mitin e emrit ose imazhit të tij. Mistifikimi zë fill këtu. Autori thotë se ai është vepra, e vërteta, çelësi i zbërthimit të saj. Kjo ide grishëse e gjithë po aq ledhatare e bën të besoj se miti do ta bëjë të pavdekshëm pasi e mundon ideja e kësaj mungese. Është në natyrën e njeriut të kërkojë pavdeksinë. Jeta dhe vdekja, qenia dhe mosqenia,përkohësia dhe përjetësia, janë dikotomitë ekzistenciale të autorit.

Vepra u krye! Por jo, është e vështirë që ai të mos dalë në skenë. Ai mbolli andaj dhe do të korr. Egoja pafundësisht thote fjalën “Unë”. Marrëdhënia subjekt(autor)-objekt(vepër), mendje(autor)-trup(vepër) nuk është e drejtë. Kësisoj për ta bërë më të besueshëm këtë gënjim autori shkruan më së shumti për jetën e vet ose e trillon duke e jetuar. Jeton si në vepër. Kufijtë zhduken. Gracka ngrihet. Kritiku harron se shpjegimi që jep ai s’është gjë tjetër veç një nga shpjegimet e pafundëta që mund t’i jepen një vepre. Kritiku sugjestionohet nga prania e tij. Autori shqiptar në pjesën dërrmuese të veprës së vet e ka bërë me qëllim utilitarist për t’i shërbyer diçkaje qoftë kjo edhe një ide si atdheu, gjuha, qenësia kolektive, ideologjia, doktrina, etnia etj.

Roland Barthe-si kërkon vdekjen e autorit. Po kështu edhe Floberi. Por autori shqiptar është mësuar të jetë aktivist shoqëror. Zëdhënësi i kombit të tij. Autor dhe mandej: luftëtar, prijës kryengritjesh, pasha, i burgosur, liberator,  i helmuar, i varur, censor dhe i censuruar, persekutor dhe i persekutuar, ministër, këshilltar presidentësh, ambasador i monarkisë dhe i republikës, pasunar dhe varfanjak, antifashist, antikomunist, profashist dhe prokomunist, cinik, agresiv, paqësor, shpërfillës, i pakënaqur, ateist dhe përçues i religjionit I hyjnizuar, i anatemuar, azilant i braktisur, orator turmash, legjendë e gjallë, anonim i pa vlerësuar kurrë në gjallje të vet, deputet, i papunë, i alkoolizuar, tregtar, gazetar, këngëtar, prift, hoxhë, ateist, autor që letrarizon jetën e vet,i keqkuptuar, pafundësisht i keqkuptuar. Autori i ngre kult vetes, jetës së tij. Në periudhën socrealiste autori u njësua me doktrinën. Jeta e autorit shqiptar i kalon caqet e një shkrimtari të shquar. Habia që ai ngjall është habi historike dhe  biografike. Tradita tregon se autori shiptar dashur padashur është bërë aktor i jetës shoqërore.

 

Kritika dhe vepra

Po nëse Gerard Genette e konsideron letërsinë si art të ligjërimit artistik kritika ngjan të jetë gjykim i arsyetuar i këtij ligjërimi. Kritiku duhet të jetë i përgatitur për t’u përballur veprën më së pari në lëmin teorik. Duhen pasur njëherë instrumentet për të vendosur mandej se si e qysh duhen përdorur. Përvoja e sotshme tregon se ekziston një prurje e madhe shkrimore ndoshta deri diku edhe për shkak të asaj që thoshte A.Pipa kur fliste për një kritikë letrare.”I riu asht porsi prroni qi don me shfrye dikund, e zakonisht shfren aty ku ka ma pak pengesa, në rasën tonë medet! në lamën e letaratyrës.Nuk asht gja ma e natyrshme se me e çlirue zemrën nga pasionet e para në nji copë letër!” Duhen zotëruar konceptet estetike, shumësia e qasjeve metodologjike për të dekoduar shkrimin. Rreziku është se kritiku mund t’i shoh veprat si shembullzime të teorive të tij ose nis të flas për veprën dhe përfundon duke folur për veten. Rreziqet që i kanosen kritikut janë të shumëllojta mes tyre: epigonizmi, diletantizmi, plagjiarizmi, panegjerizmi, tautologjia  etj etj. Sikur një kritik të kishte në studion e tij të gjithë librat e botuar në kohën e vet, t’i kishte lexuar të gjitha ato, për të dhënë gjykimin e tij besoj se nuk do kaloj shumë kohë që të kuptoj se përveç të tjerave duhet edhe talent.  Kritiku  bën mirë të mbaj parasysh thënien e të urtit se “ato që di, ruaji me anë të studimeve, kurse ato që nuk i ke mësuar, përpiqu t’i mësosh me anë të kërkimit metodik shkencor”.

 

Lexuesi si lexues

Mandej vjen lexuesi. Shumë herë ai i imponohet autorit. Sipas Eco- s ka dy lloj shkrimtarësh 1. shkrimtarë që përshkojnë fund e krye tregun, shohin se çka do lexuesi, studiojnë shijet e tij dhe krijojnë veprën siç e do ai duke u shitur në mijëra kopje. 2.Shkrimtarë që e krijojnë lexuesin duke shkelur shtigje të pashkelura e kësisoj i imponohen atij. Lexuesi i zakonshëm është dembel, hipokrit dhe sipërfaqësor, po aq diktator sa autori. Ai e sheh autorin si mishërim të shijes së tij që ndërron me ndërrimin e stinëve. Shumë shkrimtarë e vuajnë mungesën e lexuesve. Edhe ata që nuk kanë qenë ndonjëherë dishepuj të tij kurrë nuk do t’a refuzonin praninë e tij. Sidoqoftë them se sa i përket kësaj trinie: autor, kritik, lexues ato mund t’i përfshijmë fare mirë në tre nivele cilësie ose ekzistence sikundër religjioni ndan botën e përtejme. 1.Letërsi e nivelit të epërm (letërsia cilësore) 2.Letërsi e nivelit të mesmë letërsi e cila mbizotëron gjithmonë. 3 Letërsi e nivelit të poshtmë nënmesatar, medioker, gjithë po aq me bollëk sa e mesmja.

Lexuesi shqiptar është krijuar nga autori dhe kritika, është pjellë e tyre. Sidoqoftë pas viteve 90 po të citojmë fjalët e R. Elsie”letërsia shqipe ka hyrë në fazën më interesante të saj” Mbase kjo ngase autori socrealist e pa se sa e lehtë dhe e përkohshme është autori, ideologjitë dhe, ajme! – lavdia jashtëletrare.  Ai tani nuk mund të habisë më askënd. Këtë mund ta bëj vetëm TEKSTI(textum-i) si habi estetike

 

Leave a Reply