Trëndafilat e butë – Llesh Doçi
Fjala
Rrasat e rrugës së pyllit,
në çdo hap
vapa i shkërmoq në tinguj muzikor,
nga xhepat nxjerr një poezi të shpërfillur,
që melodia ma kujton.
Lexoj këto fjalë:
- Të tjerët ankohen nga duhma e gojës sime;
vendosa të heq dhëmballën e prishur,
për dreq kjo duhmë e rëndë s’u hoq,
vendosa të shikoj stomakun tim;
mjeku më tha :
«Ta kisha unë stomakun tënd! »
Ah, këto s’bëkan dobi!
E gjeta
Qenka fjala e keqe që kutërbon ,
si diamati që s’thyhet,
që s’mundkam ta heq!
Një grua
Një grua e veshur me mbrëmje,
ecte e ndillte dëshirën t’i afrohesha.
U përballem…
më priti,
e më deshi.
Çudi!
Si mu shfaq papritur im bir
me t’ëmën përdore,
që harruar i kisha
nuk di se ku!
Mbi asfalt
Mbi asfaltin e qullur,
qe flakur një gjethe krejt e vetme.
Era lozte me të,
e gërvishte,
si mundej e hidhte
e shiu e lagte papra’ gjer në kalbje
me këmbë kush e kush mund ta shkelte
gjersa erdhe ti
dhe ajo u bë më shumë se ç’ishte e vetme
Në asfaltin e lagur
Kam lanë një gjethe të flakur,
krejt të vetme…
Hajnisht
Nga kopshti i fqinjës
hajnisht mbushja gjinin me mollë
një ditë fsheha bërthamat e hajnisë prej fëmije
në oborrin tem pa asnjë pem
Ma vonë vodha zemrën e një vajze
e ika larg prej vendit tem.
Pas shumë vitesh po kotem
nën hijen e mollës së oborrit të vjetër.
tatgjyshi këput fjalë e kokrra e ua fal fëmijëve
prej mollës që u thirrka prej vitesh me emrin tem.
Hajnisht paskam mbjellë një pemë
atje në vendin tem…
Molla
Gjithë dimrit mardhje n’oborr
molla ime starkinge,
krejt e zhveshur, nga t’ftohtit bashkë me erën dridheshe
ti ashtu si gjyshja ime nuk vdisje.
Ku ta dija unë fëmija i rritur
që ti pranverën prisje,
të çelje do lule t’bardha, t’bukura tanë aromë,
që kokra pastaj t’i lidhje…
Paj veshje trupin tënd me fustanin fëshfëritës
prej gjethesh me mbrojt kokrrat lidhur degëve.
Molla ime starkinge s’të kuptova kurrë,
pse më parë çelje lulet, pastaj veten me gjethe e vishje.
Paj vinte verë e vonë e vjeshtë e hershme,
e kokrrat kuqëlonin nëpër degë si diej,
unë në një anë e krimbi n’anën tjetër
të piqeshe rehat s’të linim.
Molla ime starkinge
ç’ke hequr nga mot
nga hajnat e udhës së madhe,
nga guralecët që qëllonin gjithmonë trupin tënd ,
e ti në vend të lotëve pikoje kokrra
e sikur thoje- «S’ka gjë, mbi mollën e mirë te gjithë qëllojnë ».
E pat
Ëndrronte t’kishte në fëmijëri një lodër,
e të luante me të.
E pati
Në rini ëndrronte të kishte një vajzë si kukull,
e ta donte.
E pati
Pastaj ëndërroi të kishte një fëmijë
Si kukull të bukur.
E pati
Një ditë fort e drishi e hutoi një femër tjetër,
e deshi aq fort,
e kërkoi të bëhej prap djalë i ri.
E pat !…
Vrasësi
Në varreza të vrava
Ndodhi që erdhe n’funeral edhe ti,
më shtrive dorën
e lype diçka.
Çfarë të të jepja ! ?
Qindarka nuk pata,
të zgjata një kartmonedhë.
…………………….
tani lyp në varreza.
Rrasa
Qe një mot kur çelnin vjollcat,
ndër të parat lule n’zabele,
të brishta e delikate që rriten vetiu,
e unë një djalë i vogël t’ue kullot do berre.
Një rrasë mbi shpinën e një vjollce kishte shkel
e shtypte me sa mundej,
u afrova, e largova atë rrasë,
e flaka teposht nëpër zabel.
Të dyja duart m’ranë kresë kur pashë
se rrasa tu rrokullis
rrënoi deri në rrënjë do lule të tjera !…
Desh zoti qe pikturë
Im bir m’ lutet ta çoj në Lurë,
me pa vendin tim të lindjes.
Ajo është shumë larg…
Ajo është e bukur, alpine…
E pamundur me ia dalë n’krye.
Atëhere marr ngjyrat e hedh në letër,
pyjet e pafundme të ahut e të pishave.
Lisat e pastaj në fund të shtatë liqenet.
Ia fala tim biri për ditëlindje,
Lurën…
Kishte shumë gjelbërim n’atë pikturë,
sa pak vend mbeti për kushtimin…
Në vendin bosh biri im vizatoi nergut
…………..një sopatë.
Një trajstë prej vendit tem
Motra ime ç’më paske sjellë ?
Një triko nga vendi em i zhveshur
Ajo e ditka se këtu në Bolonjë banë shumë ftohtë.
S’di në do të kem kohë ndonjëherë për ta veshur
Vëllai më paska sjell do aspirina
Atij i kanë thënë
Kryet të dhemb shumë jashtë vendit tand
Gruaja që pritësha të këthehej në e dashur
Ose të paktën në Penelopë
Dërgon falëmeshëndet
Dhe ka shkuar në të parën te prindërit e vet.
Po nana,ç’më paska sjellë?
E harrova krejt….medet
Ajo më prêt mua
Është shtri me vdek e shpirti s’po i del!
Unë nuk pata me kë tu çoj do bombone”Otello”
Paj fort të ëmbëla qenë bash si Desdemona vetë…
Këngë për vete, lulet dhe të tjera
Në fëmini fort kam pas bredhun
Në zabele tu kërkue lule
Lule fshehun pas gjetheve
Në rini pata shumë shoqe
Që lule e lule pritnin prej meje
Sot kam besa boll lule
E s’paskam kujt t’ia fal
Trëndafilat e butë
I falem për kujtesën «Fabula rasa»
Fort i vogël sa çanta me libra
Kam qenë
Kur befi një mësuese nga qyteti
A përtej deti
Ajo zevendësoi diellin e rrallë
Pastroi qiellin
Gjethnaja e zabeleve filloi të flas
në Lurën time ku rriteshin
trëndafila të egër e zambak liqeni
paj erdhi një ditë një djalë me kitar
dhe trëndafila të butë ndër duar
grisi buzënatën me tinguj të mallt
seç lutej seç donte poshtë dritares së saj
ai lehtaz i thërriste e trokiste
atje në qelqe me trëndafila
që këputeshin e mbinin nën streh
kësodore u rrita u bëra i madh
më mbeti malli për mësuesen time të parë
shumë gjëra kam mësuar
por nuk e di kush i ka zbutur
trëndafilat e egër
atje në Lurën time nënë strehët e çative
lulojnë çdo vitë veç trëndafilave të egër
dhe ato trëndafilat e butë

Shkarkoni ne formatin PDF