O zonjë, jam i ri – Mircea Dinescu
Dinescu poet, politikan dhe disident
Lindur më 11 nëntor 1950 në Slobozia. Biri i Stefan Dineskut, puntor metalurg, dhe i Aurelia Badea, punonjëse arsimi. 1965-1969 ka kryer shkollën e mesme në Slobozia. 1979-1984 ka kryer Fakultetin e Gazetarisë të Akademisë së karierës ‘ Stefan Gheorgiu’. 1972-1976 punonjës në Shoqatën e Shkrimtarëve të Bukureshtit. 1976-1982, botues në Revistën ‘Luceafarul’. 1982-1989, botues në Revistën ‘Romana Literara’. 1989, u pushua nga puna në ‘Romana literara’ si rezultat i një interviste antidiktatoriale dhënë për gazetën francezë ‘Liberation’ dhe u arrestua në vendbanimin e tij. U lirua gjatë revolucionit të dhjetorit në 1989 në Rumani, dhe është ndër të parët që hyri në Godinën e Televizionit Rumun duke deklaruar ,’Tirani u shporr’ 1991, President i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë. Pas revolucionit themeloi të përjavshem ‘Acaemia Catavencu’ të cilën e drejtoi deri në vitin 2000 kur ai e la atë për të themeluar revistën ‘Plai cu boi’ (në dhejtor 2000). 2000, u zgjodh antar i Këshillit Kombëtar për Studimin e Punimeve të Publikuara të ish Arkivave të Sigurimit. Në fushën letrare debuton me poemën ‘Destin de Familie’ (Fati i një Familjeje), botuar në revsitën ‘Luceafarul’. Si botus debuton me volumin ‘Invocatie nimanui’ (Lutje tek askushi), botuar në revistën ‘Luceafarul’, Bukuresht, 1971. Çmimet, Titujt dhe Dekorimet: Çmimet e Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë, 1971, 1976, 1981. Antar Nderi i Universitetit të Augsburgut, Gjermani (1991). Çmimi Herder, 1999.
MIRCEA DINESCU
(1950)
Lenta
Oh vdekja më shkërben nga pasqyra:
ar fëmijë e hi me radhë e parreshtur,
nuk jam veçse lenta me pluhur pa ngjyra
nga ku koha ka vështruar duke qeshur.
Trubadur
Unë jam pronar, siç dhe kam qënë në këta pyje
ku, po ju them, gjithnjë kam bërë gjumë prej çuni
jam edhe ëngjëll, eksodesh ligur, jo ndër yje
por nëpër flluskat ngjyrë rozë prej sapuni,
jam dhe përbindësh që gëlltit si në zgafellë
parfum zëmbakësh, me oreks, pa bërë zë
mund të më thoni, te kjo luginë kaq e thellë
rrojmë apo s’rrojmë, frymë a marrim, më thoni, më?
O miq, mahnituni, mahnituni me ngut
sa ende kuajt nxehen poshtë, pra nën shalë
sa kohë bora është e bardhë, s’u përmut
sa kohë gjuhës s’i ka hyrë ndonjë halë
Mërgim në një kokërr piperi
Ti lëri llogaritësit të merren me valët
lëri dhe të tjerët që çelësa të tundin,
ji sorra sqepngritur, hamall i përçartur
që mbart në dhjetor gëzhuta ndër ara.
Moçalesh hareshëm atlet i namuzit
të kesh turp të vdesësh në çast, si haram
mbi shtratin lëvizës në autoambulancë
të grishësh parreshtur dhe vajza dhe lule…
Si vend për t’u çlodhur piperin të zgjedhësh
nderim, në s’paç zor, si gjithë njerëzia,
t’i japësh kujt xham ve beton
atje nga ka ikur dikur Perëndia.
Shqipëroi Kopi Kyçyku
Antologji e poezisë rumune, Bukuresht 2003, f. 349-350
O zonjë, jam i ri
O Zonjë, jam i ri dhe vera më njeh mirë
kur syri shkllav shëtit, çdo vashë nëpër deje, -
Si mund të kthehem, vallë, te foshnja e dikurshme
Kur mishi lulëzon dhe qan vetëm harresa?
O Zonjë, jam i ri, por kam punuar shumë,
kuptoj se qysh rrëzohem prej ëndrrës n’ekuilibër,-
sikur t’i haja grimcat e dritës, unë kurrë
nuk do ta ndjeja veten të ngopur me rininë,
i zhytur në lëkurën e tigrit sypatrembur!
O Zonjë jam i ri, me shpatulla burrërore,
dhe dua të ushqehem me qumësh prej kometash, -
në shpirt të rritet qielli dhe yjet në çdo kockë,
me afshin tim të ngrohët dëbora e përjetshme….
O Zonjë jam i ri dhe krahët i ndjej ende
të forta kur me gjunjë dhe tokën mund ta prek,
ky vrull më deh sikur kam pirë verë
dhe ndjej si rrjedhim sot mes tërë qenies sime
gjyshet dhe xhaxhallarët tej viteve që ikin…
O Zonjë, jam i ri, prandaj nuk të besoj,
sado që të më flasësh koha s’i fsheh dot thonjtë,
mes mjergullës shigjetat lajmëtare
drejt meje po nxitojnë…I ri jam. Mirëmbrëma!
Historia e vetëvrasësit të dështuar
Më 47 kishte uri dhe halle, -
unë isha gati të lindja,
por nëna ime, duke buzëqeshur,
lindi vëllanë tim, të verbrin…
Do të haja mana,
por fryu era dhe i shkundi
në oborrin përtej…
Lufta ishte më e ftohtë se birra…
Do të lidhesha me njjë vajzë,
por ajo u lidh me një tjetër
me prioritetin e së djathtës…
Kur konkurova vetëm, unë dola i dyti…
Kur u hodha në lum që të mbytesha,
u kujtova se, mjerisht, di të notoj!
Përktheu: Dionis Bubani

Shkarkoni ne formatin PDF