Dëshmitari

Home » Tregime » Dëshmitari

By elvana on March 9, 2012. No Comments


 

Horge Luis Borges

Në një stallë që qëndron thuajse nën hijen e një kishe të re prej guri, një njeri me sy gri dhe mjekër të thinjur, i shtrirë midis aromës së kafshëve, i përulur përpiqet të qasë pranë vetes vdekjen, pothuajse njëlloj si një njeri përpiqet të detyrojë veten të flejë. Dita, e bindur ndaj ligjeve të pafundme dhe të fshehta, zhvendoset ngadalë përreth dhe përzien hijet në vendet më të ulëta; jashtë shtrihen fushat e pluguara, një hendek i mbushur me gjethe të rëna dhe një gjurmë e zbehtë e një ujku në deltinën e zezë atje ku vija e pyjeve fillon. Njeriu fle dhe ëndërron, i braktisur. Këmbanat që bjenë për lutjet e zgjojnë atë. Këmbanat tanima janë një nga ritet e mbrëmjes në mbretëritë e Anglisë, por kur ishte fëmijë njeriu kishte parë fytyrën e Woden, tmerrin e shenjtë dhe triumfin, idhullin e trashë prej druri të mbushur me monedha romake dhe mantelet tejet të rënda, flijimet e kuajve, qenve dhe të burgosurve. Para se t’ia behë agimi ai do të vdesë, dhe bashkë me të, të fundit imazhe dëshmitare të riteve pagane do mbarojnë, për t’u mos parë kurrë më. Bota do të jetë pak më e varfër kur ky burrë sakson të vdesë.
Gjërat, ngjarjet që zënë hapësirën sidoqoftë vijnë drejt fundit, kur dikush vdes mund të mund të na bëjë ne të ndalojmë të habitur – dhe sidoqoftë një gjë, ose një numër i pafund gjërash, vdes bashkë me vdekjen e çdo burri apo çdo gruaje, përderisa dhe vetë universi ka një kujtesë, si na kanë sugjeruar teozofët. Në rrjedhën e kohës ka qenë një ditë kur u mbyllën sytë e fundit që kishin parë Krishtin; Beteja e Junín dhe dashuria e Helenës vdiqën me vdekjen e një njeriu. Çfarë do të vdesë me mua ditën që unë do të vdes? Çfarë imazhi i prekshëm ose i brishtë  do t’i humbasë botës? Zëri i Macedonio Fernándesit, imazhi i një kali brymës në një pjesë lirë në një qoshe të Sarrano dhe Charcas, një shufër squfuri në sirtarin e një tavoline mogani?

 Përktheu: Neli Naço

Leave a Reply